Edi Reja u përball me këtë situatë tre vite më parë. Kombëtarja shqiptare luajti dhe humbi një ndeshje vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës, duke i ikur nga duart një shans i madh.
Në atë kohë, trajneri italian dhe ekipi ynë përfaqësues u dëmtuan nga mungesat e shumta për shkak lëndimesh.
Kështu po ndodh edhe këtë herë, në prag të dy sfidave vërtet vendimtare në Ligën e Kombeve. Shqipëria do të duhet të luajë në Pragë ndaj Çekisë këtë të premte pa disa nga emrat kryesorë.
I fundit që u dorëzua ishte Myrto Uzuni, i cili nuk ka mundësi fizike të luajë.
Dëmtimet që ka pësuar tek Granada në Spanjë e detyrojnë të largohet nga grumbullimi, dhe të humbasë edhe Çekinë, por edhe duelin ndaj Gjeorgjisë.
Trajneri Silvinjo ka thirrur Indrit Tucin që luan për Spartën e Pragës.
Emri tjetër që do të mungojë të paktën të premten është Kristian Asllani.
Mesfushori I Interit mbetet me ekipin, por vazhdon përgatitje të diferencuar, dhe shpresohet që të jetë gati për ndeshjen në Tbilisi.
Më herët, Silvinjos I mungonin kapiteni Gjimshiti, sulmuesit kryesorë Broja e Manaj si dhe mesfushori premtues, Medon Berisha.
Kombëtarja luan në 11 tetor në Çeki dhe në 14 në Gjeorgji për Ligën e Kombëve.