Raporti i Tendencave të Strehimit 2024, i përpiluar nga agjencia e pasurive të patundshme RE/MAX Europe, zbuloi se më shumë se 1 në 10 europianë, duhej të shkurtonte ushqimin dhe artikujt bazë të përditshmërisë për të paguar për strehimin gjatë vitit të kaluar.
Sondazhi i konsumatorëve me mijëra pjesëmarrës zbuloi se kostot e strehimit janë rritur mesatarisht me 54% në Europë gjatë 12 muajve të fundit. Më shumë se një e treta e europianëve (37%) thanë se ndërsa po përballonin dhe mund të përballonin kostot e tyre të strehimit, paratë mbetën të kufizuara. Pothuajse një e pesta (19%) thanë se po luftonin për të përballuar jetesën.
Mesatarisht, familjet europiane shpenzojnë 38% të të ardhurave të tyre për të mbuluar pagesat e qirasë ose hipotekës dhe faturat e shërbimeve, me përqindjen më të lartë të matur në Slloveni (43%) dhe Portugali (42%). Por njerëzit që jetojnë në Zvicër, për shembull, raportuan një barrë më të ulët, 30%.
Për të qenë në gjendje të mbulojnë kostot në rritje të strehimit, 80% e njerëzve në anketë thanë se kishin filluar të shkurtonin shpenzimet e tyre.
Rreth 41% e të anketuarve vendosën të kursejnë në aktivitetet sociale, ndërsa 40% kishin reduktuar shpenzimet për pushime dhe artikuj luksi.
Shpenzimet që europianët reduktojnë për të paguar kredinë për shtëpi
Nga ata që iu përgjigjën anketës, rreth 16% deklaruan se kishin shkurtuar faturat e ushqimit, me përqindjen më të lartë, 26%, në Austri dhe Finlandë.
Kur shkurtimi nuk është i mjaftueshëm
Një pakicë prej 15% e europianëve raportuan se ishin detyruar të përdornin një formë huamarrjeje për të mbuluar shpenzimet e tyre të strehimit. Ky trend është më i theksuar në Turqi (32%), Bullgari (22%) dhe Rumani (20%).
Rreth një e treta e atyre, që përdorin kredi, zgjodhën të financonin shpenzimet e tyre të strehimit me karta krediti dhe pak më pak, 27%, iu drejtuan familjes dhe miqve për të marrë hua fondet e nevojshme. Një e katërta e të anketuarve përdorën overdraft dhe pak më pak (23%) zgjodhën të kërkonin kredi bankare të pasigurta për të mbuluar kostot e strehimit.
Gati gjysma (48%) e të anketuarve në të gjithë Europën thanë se ata parashikojnë rritje të mëtejshme të kostove të strehimit gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Në përgjigje të perspektivës së zymtë, një pjesë e konsiderueshme e europianëve po shqyrtojnë ndryshime drastike; një jetë më e përballueshme do të mjaftonte, që 32% e njerëzve të shpërngulen në një qytet ose qytezë më të vogël dhe 24% janë gati të shpërngulen jashtë vendit për të njëjtën arsye. Megjithatë, rreth 21% e tyre nuk ishin fare të hapur për të lëvizur.
Qëndrueshmëria mbetet prioritet i ulët në familje
Nga të pyeturit në Europë, 18% thanë se kanë vështirësi për të paguar faturat e energjisë dhe kjo përqindje ishte veçanërisht e lartë në Greqi, ku 36% e banorëve përballen me vështirësi të mëdha në menaxhimin e shpenzimeve të tyre të energjisë.
Për shkak të kostove tashmë të larta, përmirësimet ekologjike në shtëpi kanë zënë vendin e fundit në shumë familje, prioriteti i të cilave mbetet pagimi i faturave të menjëhershme, sesa qëndrueshmëria afatgjatë.
Ende ka më shumë se një e katërta e të anketuarve (27%), që konsiderojnë instalimin e paneleve diellore, dhe pak më pak (25%) do të instalonin xham të dyfishtë. Masat për grumbullimin e ujit të shiut dhe pompat e nxehtësisë janë më pak prioritet, vetëm një e pesta e njerëzve thonë se do të konsideronin instalimin e tyre.
Pothuajse gjysma e të pyeturve thanë se rritja e mbështetjes ose subvencioneve qeveritare mund t’i motivojë ata të instalojnë masa efikase të energjisë.
Ku në Europë njerëzit janë të kënaqur me strehimin
Pavarësisht shqetësimeve për kostot e strehimit, nivelet e kënaqësisë me strehimin mbeten të larta në shumë pjesë të Europës.
Ata në Holandë dhe Rumani janë më të kënaqur me situatën e tyre të strehimit, me 84% të njerëzve që raportohen të kënaqur. Ekziston një normë relativisht e lartë e pronësisë së shtëpive dhe cilësi e mirë e strehimit në dispozicion në këto vende, gjë që mund të shpjegojë rezultatin.
Mesatarisht, 76% e europianëve janë të kënaqur me strehimin e tyre. Në anën tjetër të shkallës janë ato në Maltë, Republikën Çeke, Slloveni, Hungari, Turqi, Greqi dhe Irlandë.
Përqindja e europianëve të kënaqur me strehimin e tyre
Pakënaqësia buron nga çështje të ndryshme, për shembull, nevoja për më shumë hapësirë është një shqetësim kyç, veçanërisht në Poloni, ku 58% e banorëve e përmendin këtë si shkakun e pakënaqësisë me rrethanat e tyre të jetesës, që krahasohet me mesataren europiane prej 37%.
Kostoja është një çështje tjetër kryesore, një e treta (33%) e të anketuarve të pakënaqur thanë se prona e tyre është shumë e shtrenjtë. Kjo normë është deri në 53% në Maltë, 48% në Irlandë dhe 48% në Finlandë.
Për më tepër, pothuajse gjysma e banorëve të pakënaqur në Portugali raportuan probleme me lagështinë ose mykun, ndërsa një e pesta përmend problemet me higjienën si problemin kryesor në Holandë.