Në Komisionin e Dezinformimit është ngritur edhe çështja e problematikave me dezinformimin në disa media dhe kryesisht portale.
Kreu i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa, vuri theksin tek mungesa e kapacitetit ligjor aktual, por edhe rregullat më të forta dhe kapacitetet njerëzore për ta ushtruar më mirë funksionin e parandalimit dhe ndëshkimit.
“Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse nuk ka një rregullator të portaleve që të vendosë diktaturë, në thonjëza, për të ruajtur stabilitetin”, shpjegoi ai.
Tafa shpjegoi edhe raportin me mediat se si veprohet:
“Për portalet ka një boshllëk në rastet kur ne ndeshemi me dezinformim. E vetmja gjë që bëjmë është nxjerrja e një deklarate zyrtare, dhe dalja në media për të sqaruar situatën dhe për të informuar publikun. Nuk ka një mekanizëm që të penalizojë apo të parandalojë këtë gjë, pasi portalet janë plotësisht të pavarura, japin atë që duan të japin”, tha Tafa.
Ai shtoi gjithashtu se për këtë pjesë “nuk ka një mekanizëm, sepse nuk ka një rregullator për portalet që t’i filtronte të gjitha këto informacione”.