Majlinda Dhuka, Ministre Shteti dhe kryenegociatore e Shqipërisë me BE-në, në një intervistë me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu tregon se çfarë përfitojnë qytetarët shqiptarë nga çelja e kapitullit të parë me BE.
Po ashtu ajo tregon se kur Shqipëria do të jetë gati për të avancuar me çeljen e kapitujve të tjerë.
Do të ishte me interes të kuptonim se çfarë përfitojnë qytetarët shqiptarë nga çelja e kapitullit të parë me BE-në?
Majlinda Dhuka: Grup kapitulli i njohur ndryshe në gjuhën e negociatave si themeloret është grupi i parë i kapitujve më i rëndësishmi në të gjithë. Është ky grupi kapitujve që hapet i pari dhe mbyllet i fundit dhe përcakton shpejtësinë në progresin me negociatat për anëtarësim në familjen europiane. Ky grup kapitujsh përmban 5 kapituj dhe 3 kritere shumë të rëndësishme të funksionimit të një demokracie, institucioneve publike me në qendër shërbimet publike për qytetarët. Janë çështje me funksionimin e parlamentit, procesin zgjedhor, shoqërinë civile dhe njëkohësisht shërbimet publike, sistemin e drejtësisë dhe dhënien e drejtësisë për qytetarët me cilësi dhe shpejtësi e çështje të tjera me rëndësi të tillë. Në këtë kuptim në kuadër të negociatave për tu bërë pjesë e familjes europiane Shqipëria ka marrë një sërë angazhimesh në këtë grup kapituj duke qenë se ka hartuar tre udhërrëfyes që janë harta me hapat që duhet të hedhë vendi deri sa të jetë anëtarë i familjes europiane. Tashmë këto angazhime janë të rëndësishme me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Në qendër të tyre është përafrimi standarteve me BE dhe modernizimi shërbimeve për qytetarët. Unë do të sjell për ju disa shembuj të këtyre reformave ose nismave. Së pari do të flas për sistemin e drejtësisë dhe shërbimin për qytetarët në sistemin e drejtësisë. Si pjesë e këtyre angazhimeve do të jetë ngritja e një sistemi dixhital të menaxhimit të çështjeve gjyqësore që do të lehtësojë procedurat gjyqësore aksesin e qytetarëve në procedurat gjyqësore dhe njëkohësisht do të shkurtojë kohën për procedurat gjyqësore dhe vendimet. Ju e dini që ne kemi sfida në listën e pritjes për çështjet penale më pak dhe më shumë për çështjet civile dhe ato administrative në gjykatat tona. Zhvillime të tilla kanë rëndësi për të përmirësuar standardet europiane dhe standarde ndaj qytetarëve. Një tjetër shembull që unë do të sjell në kuadër të angazhimeve për negociatat është i lidhur me të drejtat e pronës. Shqipëria ka bërë progres në të drejtën e pronës dhe shërbimet kadastrale e sidomos modernizimit të tyre e shërbimeve në E-Albania. Por ne kemi ende angazhime për të ofruar standardin europian. Këto janë të lidhura me hartat dhe kartelat me dixhitalizimit e tyre me standardin europian drejt një shërbimi kadastral të dixhitalizuar. Edhe këtu Shqipëria ka marrë një numër angazhimesh për 3 deri 5 vitet që vinë të cilat presim të tranformojnë radikalisht shërbimet e provave dhe ato kadastrale në favor të qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve e kështu me radhë.
Te tjera angazhime lidhen me shërbimet publike përmes E-Albania. Shqipëria do të përgatisë një portofol dixhital që do të lehtësojë marrjen e shërbimeve në fushën e arsimit, të shëndetësisë punësimit dhe më gjerë për qytetarët me anë të përafrimit dhe trupëzimit të një standardi europian dhe njëkohësisht presim që në 3-4 vitet që vinë atë ta lidhim edhe me portofolin dixhital të shërbimeve të BE. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se kur qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë drejt BE di ti marrin më lehtë shërbimet si të jenë në vendin e tyre.
Cilat janë avantazhet dhe sfidat e vendit tonë në kapitullin e parë?
Majlinda Dhuka: Shqipëria i çeli negociatat në bazë të meritës. I plotësoi kushtet për çeljen e negociatave dhe kjo u arrit si rezultat i reformave dhe progresit me reformat. Sidomos reforma në drejtësi por edhe një numër të tjerash të domosdoshme për shërbimet ndaj qytetarëve. Ky është një avantazh i madh. Është një investim i rëndësishëm i vendit i qeverisë, institucioneve publike që ndërtoi këtë mundësi të madhe për të çelur negociatat për anëtarësim në familjen europiane. Sfidat janë të lidhura me angazhimet e marra. Vetëm në tre udhërrëfyesit kemi 855 masa, nisma të lidhura me reformat kryesore në këto fusha. Sfida është në përmbushjen e angazhimeve në një kohë të shkurtër. Shqipëria e ka marrë angazhimin ti përmbushë kriteret për anëtarësim deri në 2030.
Kur mund të themi se Shqipëria do të jetë gati të hapë grup-kapitujt e tjerë?
Majlinda Dhuka: Shqipëria është gati teknikisht që tani për të hapur një numër kapitujsh. Shqipëria aspiron të hapë edhe dy kapituj të tjerë më javët dhe muajt që vinë pra së shpejti. Është fjala për kapitullin e lidhur me politikën e mbrojtjes dhe sigurisë ku Shqipëria është e linjëzuar 100% me politikën e BE-s si dhe një faktor i sigurt paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe marrëdhëniet me jashtë. Gjithashtu Shqipëria është gati të progresojë shumë shpejt me hapjen e kapitujve të tregut. Ato janë shumë të rëndësishme qytetarët, ekonominë dhe biznesin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, më mundësinë për tu punësuar, studiuar më shumë përfshi lëvizjen e lirë të mallrave të kapitalit e kështu me radhë. Shqipëria është teknikisht e gatshme për të hapur një numër kapitujsh të tjerë në javët dhe muajt që vinë dhe ne presim me besim dhe padurim vendimin e vendeve anëtare për ti mundësuar Shqipërisë të progresojë me një numër kapitujsh të tjerë në një kohë të shpejtë.