Ka shumë objekte në Shqipëri që përballojnë goditjet atomike. Në rast të një lufte bërthamore janë disa vende si tuneli i Porto Palermos, tunelet e nëndheshme në Sazan, në Shëngjin, bunkerët kudo në Shqipëri, ku do të strehoheshin njerëzit.
Gëzim Bakiu projektuesi i shumë veprave antibërthamore në Shqipëri dhe projektuesit i Bunkart 1, tregon për gazetaren Rudina Xhunga vendin ku do strehohej Enver Hoxha në rast lufte bërthamore.
“Çdo objekt, sipas kategorisë kishte si kusht të ishte antibërthamor. Përveç Porto Palermos, antibërthamor është tuneli i Shëngjinit, Gjadri, Kuçova. Të gjitha objektet klasifikoheshin me shkallën e presionit. Strehimet e popullatës, në pallate, buzë Lanës e kudo janë antiatomike.
Bunkart 1 është puna im e parë. Ky bunker përballon deri në 10-të shkallën e presionit të valës së bombës atomike. Bunkart 1 ishte komanda qendrore e ushtrisë. Në rast lufte aty do strehohej Enver Hoxha. Te hyrja 9 ishte Enver Hoxha, te 8-ta Mehmet Shehu, te 7-ta shefi i Shtabit të Përgjithshëm”, tha zoti Bakiu në DritareTV.