Ardhja e emigrantëve të parë italianë në Shqipëri, si pjesë e marrëveshjes mes shtetit tonë dhe Italisë, është shoqëruar me bujë të madhe edhe në rajon.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis komentoi këtë zhvillim në një intervistë për Financial Times, ndërsa bëri të ditur qëndrimin e tij ndaj çështjes së emigrantëve.
Mitsotakis i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ketë një qasje më të butë dhe përfshirëse ndaj emigrantëve, si një domosdoshmëri për vendet europiane, të cilat sipas tij kanë nevojë për forcë punëtore.
“Nëse ju duhet të ndërtoni një gardh të madh, ju duhet një derë e madhe,” tha Kyriakos Mitsotakis, duke theksuar mungesën e fuqisë punëtore në vend. “Kush do t’i mbledhë ullinjtë tanë?” pyeti ai, ndërsa vuri në dukje se në të gjithë Evropën popullsitë po tkurret dhe se duhet pranuar nevoja për forcë punëtore.
Sa i përket “formulës” së ndjekur mes Shqipërisë dhe Italisë, Mitsotakis nënvizoi se kjo është një marrëveshje dypalëshe që mundet ose jo të implementohet edhe në vende të tjera.
Sipas kryeministrit grek marrëveshja është ende në hapat e parë të zbatimit të saj, ndaj duhet ndjekur ecuria e mëtejshme dhe “fati” që emigrantët do të kenë.
“Kjo është një marrëveshje dypalëshe. Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel evropian”, theksoi ai, duke shtuar “do të duhet të shohim nëse funksionon vërtet”.
Në intervistën e tij ai përsëriti thirrjen për mbështetjen e emigracionit legal nga BE, pasi punëtorët e kualifikuar janë thelbësorë për ekonominë evropiane, sipas tij.