Kryeprokurori Altin Dumani ditën e sotme, pasi u largua nga seanca gjyqësore për Ilir Metën, ka zhvilluar një takim me rëndësi të lartë me përfaqësues të lartë të Prokurorisë Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar.
Sarah Dineley, zëvendësdrejtuesja e Prokurorisë Mbretërore britanike dhe Marion Langford, drejtuese e Njësisë së Divizionit Ndërkombëtar u takuan me Dumanin ku i rikonfirmuan mbështetjen e tyre ndaj SPAK.
Ndërsa Kreu i SPAK është shprehur se do të vijojë thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë si dhe pastrimit të parave.
Njoftimi i SPAK:
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me përfaqësuesë të lartë të Prokurorisë Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar. Në takim morën pjesë, Sarah Dineley, zëvendësdrejtuesja e Prokurorisë Mbretërore britanike dhe drejtuese e Divizionit për Çështjet Ndërkombëtare dhe Marion Langford, drejtuese e Njësisë së Divizionit Ndërkombëtar.
Në këtë takim të nivelit të lartë ishte e pranishme edhe zëvendësambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Mia Marzouk së bashku me koordinatorin për Ballkanin Perëndimor në ambasadën britanike, për cështjet që lidhen me ndjekjet penale.
Përfaqësuesit e lartë rikonfirmuan mbështetjen e Zyrës së Prokurorisë së Mbretërisë së Bashkuar për punën e SPAK. Gjatë diskutimeve, të dyja palët vunë theksin në bashkëpunimin e suksesshëm mes Prokurorisë së Posaçme dhe agjencive ligjzbatuese britanike. Përfaqësuesit nga të dy vendet u shprehën të angazhuar për forcimin e mëtejshëm të këtij partneriteti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për intensifikimin e përpjekjeve për konfiskimin e aseteve kriminale.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha:
“Bashkëpunimi mes dy institucioneve është shumë i rëndësishëm për luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëvë të lartë, i cili ka rezultuar i suksesshëm dhe do të vijojë të shtrihet edhe në rikuperimin e aseteve dhe në luftën kundër pastrimit të parave, në të dy vendet.”
Ky takim shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të SPAK, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.