Polonia u mund në sfidën e raundit të 3 në Ligën e Kombeve përballë Portugalisë, në shtëpi 1-3.
Sërish ndër më të kritikuarit padyshim ka qenë sulmuesi kryesor Robert Lewandowski, i cili nuk pranon kritikat e marra pas humbjes së Polonisë në fushën e saj përballë Portugalisë dhe është përgjigjur hapur pas ndeshjes.
Sulmuesi polak u ka kujtuar gazetarëve se detyra e tij është që të shënojë gola dhe nëse nuk vihet në kushtet optimale për të bërë diçka të tillë atëherë nuk mund të bëjë dot asgjë.
”Nuk jam mesfushor dhe detyra imë nuk është që të kthehem te linja fundore për të marrë topin në gjysmëfushën time.
Ndoshta mund ta bëj gjatë stërvitjeve.
Gjatë ndeshjes, duhet të jem më afër zonës së rreptësisë dhe të pres krosimet, pasimet apo ndonjë top derisa të ndodhë ndonjë gjë.
Ky është aspekti që duhet të përmirësojmë ose ndryshojmë,
Jo vetëm ndaj Portugalisë, por në përgjithësi, duket se nuk kemi shpesh topin pranë zonës kundërshtare dhe roli i sulmuesit është ai që të mundohet të bëjë diçka aty”, tha sulmuesi polak pas sfidës.