Në Kishën Ortodokse po merr formë e heshtur, pa shumë bujë një ngjarje shumë e rëndësishme. Duke qenë se tre krerët e Kishës Ortodokse greke; kryepeshkopi Hieronymos, patriarku Ekumenik Bartolomeu dhe kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas, kanë mbushur ose i kanë kaluar 85-vjeç, ka nisur që të mendohet pasuesi i tyre. Të tre janë në gjendje të mirë shëndetësore, kanë qartësi mendore, por sërish disa masa duhen marrë. Media greke “Protothema” është thelluar edhe më shumë në këtë çështje.
Koha dhe mënyra e trashëgimisë janë faktorë kyç në formësimin e lojës për fronin e kryepeshkopatës në Kishën e Greqisë. Nëse gjithçka ndodh pas tre-pesë viteve të ardhshme, në lojë do të hyjnë edhe më të rinjtë, të cilët tashmë janë në reshtin e tretë të rezervës. Përvoja e deritanishme ka treguar se në zgjdhje, sipas zakonit, peshkopët më të rinj se 55 vjeç nuk hyjnë në garë dhe përgatiten për të marrë poste më vonë në jetën e tyre.
Për postin e Hieronymos dhe Bartolomeut, media greke jep shumë opsione emrash se nga kush do të pasohen, duke sqaruar edhe gjithë “kulisat” e brendshme të Kishës greke dhe qëndrimet që secili klerik ka mbajtur deri më tani për çështje të ndryshme. Por në shpjegimin e tyre, thonë se në Kishën me bazë në Shqipëri, gjërat janë pak më të thjeshta.
“Në Kishën e Shqipërisë gjërat janë krejtësisht të ndryshme. Që nga viti 1991, pas shumë vështirësish dhe pengesash nga qeveria shqiptare, kryepeshkopi 95-vjeçar Anastas Janullatos ka qenë në krye të një Kishe që e ka ndërtuar vetë. Në vitin 1990, regjimi kishte vendosur të lehtësonte masat kundër fesë dhe në fillim të vitit 1991 Kisha Greke nisi nga puna. Gjëja e parë që u bë ishte emërimi i peshkopit të atëhershëm Androusis Anastasios “me mision për të shkuar në Shqipëri për kontaktet e para me ortodoksët shqiptarë dhe autoritetet e vendit”.
Anastas Janullatos nga ana tjetër, për një kohë të gjatë, punoi për ndërtimin e një strukture kishtare rudimentare dhe në vitin 1992 u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë në Kishën e rilindur autoqefale të Shqipërisë. 7 mitropolitë dhe Kryepeshkopi përbëjnë Sinodin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Fakti që të gjithë anëtarët e Sinodit janë praktikisht “fëmijë” të kryepeshkopit Anastas, e bën të vështirë të veçosh dikë që do të pasojë 95-vjeçarin. Siç thonë njohës të çështjeve kishtare, kur të vijë momenti nuk do të jetë “Fanari” (njësi administrative brenda kishës) ai që do të vendosë për pasardhësin, pasi do të vlerësohen edhe faktorë të tjerë për emrin e pasardhësit duke përfshirë politikën e jashtme e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me Greqinë, por edhe me SHBA-në,”-shkruan “Protothema”.
Kështu që nuk jep asnjë emër për Shqipërinë. Mesa duket pasardhësin e Janullatosit do ta mësojmë kur ky i fundit të mos jetë më mes nesh.