Real Madridi ka nderuar ish-lojtarin e Barcelonës, Andres Iniesta, pasi ky i fundit u largua përfundimisht nga futbolli aktiv. Iniesta dje njoftoi se i ndau rrugët me futbollin aktiv, pas një karriere goxha të suksesshme me Barcelonën dhe aventurave në Japoni e në Emiratet e Bashkuara Arabe. Spanjolli fitoi nëntë herë La Ligën, katër herë Ligën e Kampionëve dhe disa trofe të tjerë.
Gjatë kohës së tij në Barcelonë, rivaliteti me Real Madridin mori një tjetër nivel, derisa më 2015 ai u duartrokit nga tifozët në “Santiago Bernabeu”, pas një paraqitje të jashtëzakonshme në fitoren 4-0 të Barcelonës.
Klubi nga kryeqyteti e nderoi Iniestën me një komunikatë pas largimit të tij, duke i kujtuar edhe golin e shënuar me Spanjën ndaj Holandës, që i dhuroi “Furisë së Kuqe” titullin kampion bote.
Në komunikatë thuhej po ashtu se klubi “nderon dhe admiron një nga legjendat më të mëdha në historinë e futbollit spanjoll”. “Real Madridi i dëshiron suksese në të ardhmen, atij dhe familjes së tij”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e klubit madrilen.