Qeveria është e angazhuar për rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të pensioneve.
Kështu deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj, në takimin që u zhvillua sot në Tiranë me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, teksa dha detaje të planit konkret që ka qeveria për këtë detyrim dhe sfidë.
Malaj tha se, qeveria ka rritur pagat në administratën publike në një sërë sektorësh dhe ka ardhur koha të adresohet edhe rritja e pensioneve.
“Në terma afatmesëm parashikojmë rritje substanciale. Rritjen e bonusit të fundvitit për pensionistët. Në terma afatgjatë synojmë një skemë pensioni të qëndrueshme që do të garantojë pensione më të larta”, tha ministri.
Sipas tij, indeksimi i pensioneve me 4.1% nuk ka të bëjë me reformën e pensioneve që duam të adresojmë.
“4.1% është një detyrim ligjor që ka të bëjë me rritjen e çmimeve dhe jo me skemën tonë”, deklaroi Malaj.
Kryeministri Edi Rama hapi sot diskutimin publik me pensionistët lidhur me pensionet, për të adresuar një detyrim dhe dhe një kërkesë legjitime të vazhdueshme, siç u shpreh ai, në këtë fazë kur ekonomia shqiptare ka nisur të marrë formën e një ekonomie gjithëpërfshirëse.