Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me prindër të nxënësve nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit, ku prezantoi dy programe të reja dhe ambicioze që do të nisin fillimisht si programe pilot për t’u integruar më pas në të gjitha shkollat në vend.
Këto projekte synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve, duke ofruar mundësi të reja për edukimin dhe zhvillim personal të nxënësve edhe jashtë orarit të zakonshëm mësimor.
Manastirliu deklaroi se programi i Shkollave Verore, një iniciativë që synon të transformojë periudhën e pushimeve verore në një kohë të vlefshme për zhvillim social, kulturor dhe sportiv është gati të pilotohet duke filluar nga vera e ardhshme.
“Ne jemi duke vlerësuar një program që ka lidhje me shkollat verore, gati për ta pilotuar duke filluar nga viti i ardhshëm. Qëllimi është të kemi shkolla të hapura edhe gjatë periudhës së verës për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sociale, kulturore dhe sportive. Kjo do t’u japë mundësi edhe mësuesve që të dedikohen për nxënësit, të cilët duan të vijojnë programe dhe aktivitete jashtëshkollore gjatë verës,” theksoi Manastirliu, duke nënvizuar se ky projekt ambicioz do të ndihmojë në shfrytëzimin më të mirë të kohës së lirë të nxënësve dhe në zgjerimin e mundësive të edukimit përmes argëtimit gjatë pushimeve.
Plani tjetër ambicioz është programi AfterSchool, që synon të përfshijë nxënësit në aktivitete edukative dhe argëtuese pas përfundimit të mësimit, duke krijuar një hapësirë për zhvillim të mëtejshëm të tyre.
“Programi AfterSchool, që sërish do të pilotojmë, do të mundësojë që fëmijët të kenë një mbështetje për të bërë jo vetëm detyrat e shtëpisë, por gjithashtu për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme që u zgjasin kohën e qëndrimit në shkollë, gjithmonë duke mësuar.” deklaroi Manastirliu.
Ky program synon të krijojë një hapësirë më të strukturuar për mësim dhe aktivitete jashtëshkollore, duke kontribuar në edukimin holistik të nxënësve dhe në mbështetjen e tyre gjatë gjithë ditës.
Të dyja këto programe shënojnë një hap të madh në drejtim të modernizimit të arsimit dhe në ofrimin e mundësive të reja për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke u fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm të fëmijëve edhe përtej klasës.
Në vijim, ministrja foli për risinë e këtij viti të ri shkollor rolet e reja të Mësuesit Koordinator të Orientimit të Karrierës dhe Mësuesit Koordinator të Sigurimit të Cilësisë figura të cilat do të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe në evidentimin e prirjeve dhe talenteve të nxënësve.
“Mësuesi Koordinator i Orientimit Karrierës do të japë informacionin e nevojshëm për prirjet e fëmijëve, duke i ndjekur periodikisht dhe duke synuar që, nëpërmjet komunikimit, të shërbejë si urë mes shkollës dhe familjes. Kjo do të ndihmojë prindërit të marrin informacion të vazhdueshëm mbi prirjet dhe ecurinë e fëmijëve të tyre,” tha Manastirliu duke nënvizuar se kjo do t’i ndihmojë prindërit në përzgjedhjen e drejtimit të duhur në edukimin në vazhdim të fëmijëve dhe do të jetë një mbështetje thelbësore në zhvillimin e tyre profesional që në shkollë.