Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektoi tre laboratorët e rinj në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), të cilët janë ndërtuar me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Investimi në këta laboratorë është i rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës shkencore dhe për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në këtë universitet.
Gjatë inspektimit, Ministrja Manastirliu falënderoi ekipin e UBT-së për punën e bërë dhe nënvizoi rëndësinë e reformave që po zbatohen në këtë institucion.
“Puna tashmë ka filluar në ekipin e Universitetit Bujqësor të Tiranës për procesin tashmë të analizës së të gjithë programeve të ciklit të studimeve që ky universitet ofron, për ta afruar atë në parametrat dhe programet e Universitetit Boku të Vjenës, si dhe për të riorganizuar njësitë e kërkimit shkencor.”, tha Manastirliu.
Tre laboratorët e rinj, ai i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve, Laboratori për Vlerësimin e Cilësisë së Ujërave dhe Laboratori i Trajtimit Termik të Drurit do të shërbejnë për realizimin efektiv të procesit mësimor, kërkimor shkencor dhe shërbimit ndaj të tretëve.
Ministrja theksoi se këta laboratorë do të shërbejnë edhe në integrimin e kërkimit shkencor me mësimdhënien.
“Nëpërmjet fondeve të qeverisë shqiptare dhe Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, tre laboratorët e rinj do të mbështesin programet e mësimdhënies dhe kërkimin shkencor. Laboratori i analizave të ujërave, për shembull, do të mundësojë kryerjen e më shumë analizave për cilësinë e ujërave, ndërsa laboratori për frutat dhe perimet do të shtojë kapacitetet për analizën e cilësisë së produkteve ushqimore. Të tre këta laboratorë i janë shtuar fakulteteve të UBT-së dhe do të ndihmojnë kërkimin shkencor dhe procesin e cikleve të studimit, veçanërisht për programet Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Nevoja për afrim të mësimdhënies me kërkimin shkencor është gjithnjë e më e madhe, sidomos në një kohë kur teknologjia po avancon me hapa të shpejtë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Në fund, Manastirliu përmendi mundësitë që këto investime ofrojnë për të ardhmen e UBT-së, veçanërisht në rritjen e shërbimeve për të tretët.
“Laboratorët e rinj jo vetëm që do të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, por edhe do të ofrojnë shërbime edhe për të tretët. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të gjeneruar të ardhura shtesë për universitetin, të cilat mund të përdoren për të mbështetur kërkimin shkencor dhe investimet e ardhshme.”