Britania do të dërgojë një flotë automjetesh të burgut në Shqipëri si pjesë e një marrëveshjeje për të transferuar të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në Britani.
Ky plan ka për qëllim zvogëlimin e ngarkesës në sistemin e burgjeve britanike dhe uljen e numrit të të burgosurve të huaj në Britani. Burgu i ri në Shqipëri do të presë shqiptarët e dënuar në Britaninë e Madhe, duke lehtësuar kostot dhe menaxhimin e të burgosurve.
The Telegraf raporton se ky veprim është pjesë e një marrëveshjeje prej 4 milionë paundsh për transferimin e të burgosurve, për të kthyer 200 nga të burgosurit më të rrezikshëm të Shqipërisë në vendin ballkanik.
Flota e re e automjeteve elektrike do të përfshijë 15 makina dhe 22 mikrobusë që do të përdoren në shërbimin e burgjeve të Shqipërisë.
Oficerët britanikë të burgut kanë punuar gjithashtu me homologët e tyre shqiptarë për të zhvilluar burgun e parë të hapur në vend.
Burgu i “Ali Dem-it”, sipas Dailymail do të strehojë të burgosur gjatë gjashtë muajve të fundit të dënimit të tyre. Të burgosurit do të kenë dhomat e tyre. Kostoja e strehimit të këtyre kriminelëve, ku përfshihen vrasës, përdhunues dhe tregtarë droge, të jetë 32 £ në ditë krahasuar me 109 £ në ditë në Mbretërinë e Madhe.
Aktualisht janë 1270 shqiptarë që mbahen në sistemin e burgjeve britanike. Shtetasit shqiptarë përbëjnë gati një në shtatë nga 10,500 të burgosur të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, me një kosto për tatimpaguesit prej 52,000 £ për person.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Burgjeve Shqiptare, Klevis Qose ka folur për Dailymail ku tha: “Ne jemi gati të përdorim burgun e hapur të Ali Demit, burgun më të ri në Shqipëri.”
Më shumë se 5,000 të burgosur do të lirohen gjatë gjashtë javëve të ardhshme, me të gjithë të drejtën për lirim, përveç kriminelëve të dhunshëm të burgosur për më shumë se katër vjet.