Bukurie Malko, nëna e të ndjerit Santiago Malko, pretendon se është kërcënuar me jetë nga Leonard Duka dhe “njerëzit e tij”. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Jetë Shqiptarë”, ajo ka treguar detaje nga gjyqi i djeshëm që u zhvillua në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në rrëfimin e saj për gazetaren Aida Topalli, ajo rrëfeu përballjen me Leonard Dukën në gjykatë në seancën e djeshme, Bukurie Malko shprehet se autori i vrasjes së djalit të saj i bënte presion me kokë, duke i dhënë shenjë që të mos fliste më. Po ashtu tregoi se kishte marrë mesazhe se shumë shpejt do të bashkohej me të birin. Edhe pse pretendon se kërcënimet i ka referuar në Policinë e Shtetit. Por në asnjë rast nuk i është marrë për bazë. Kështu ka menduar që të njëjtat mesazhe t’i dërgojë në SPAK.

BISEDA ME TELEFON:

Bukurie Malko: Sa jam shtrirë se jam aq keq në zemër vdiqa!

Aida Topalli: Ne do të risjellim edhe njëherë në vëmendje vrasjen e Santiagos, donim një reagim nga ana juaj.

Bukurie Malko: Nuk e ulte krimineli moj shpirt! As ulte kokën…më shikonte në sy. Nuk dal dot në rrugë pa më thënë “mbyll gojën”. Më ka dërguar mesazhe: Të ka marrë malli për djalin tënd? Do shkosh që ta takosh! Mesazhe…Jam drejtuar edhe në Polici. Policia do lekë, por duan lekë. Edhe në mes të gjykatës dhe do të të jap filmimet më tundte kokën. Pa pikë turpi! Prokurori tha është i njëanëshëm tha dhe do të më dënojë mua dhe stafin tim. Ky e ka stafin ai? Ai kriminel është! Ky e paska stafin ai, çfarë është ai zyrtar? Unë nuk dal dot më nga shtëpia. E lashë edhe punën. E mbylla licensën. Më njeh gjithë tregu dhe Shqipëria. Unë kam qenë në ballë të punës, si burrë! Ka hedhur lekë deri në derë të Gjykatës. Ka hedhur lekë të madh gjithandej. Unë po rri me shpirt nëpër dhembë, më vrasin sot, më vrasin nesër. Po pse çfarë është kjo kështu? Të më vrasi krimineli djalin, 25 vjeç të ma fusë në dhe. Të më gjynjëzojë mua, një djalë dritë syri. Djali im kishte dy fakultete shkollë. Pse rrugaç e kisha djalin unë? Ai më shikonte në dritën e syrit, pa pikën e ndërgjegjies. Tani do t’i shpëtojë burgut. Ai ka përgjimet që ka folur me Ervis Martinin. Çdo sekondë më kërcënon. Ku jetojmë ne? Këtu sundon vetëm mafia?

Aida Topalli: A ke menduar që të shkosh në SPAK?

Bukurie Malko: Tani ma çove në mendje. Unë atje shkoj…

SI NDODHI VRASJA E SANTIAGO MALKOS?

Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Deri më tani, I vetmi i dënuar me 25 vite burg është Blendi Teta, i cili akuzohet si një person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.

Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë).

Ish-bossi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022 shprehej se Malko ka gabuar me babanë e Dukës, referuar faktit që ia ka marrë peng dhe i ka dërguar video duke e torturuar. Madje në një episod e quan Malkon skizofren dhe njeri që i ka sjellë vetëm probleme. Biseda është zhvilluar kur dyshja i kishte prishur marrëdhëniet miqësore por edhe ato si ortakë.