“E kisha llogaritur se do të kishte pengesa, por protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për emigracionin do të funksionojë”. Kështu deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni në 80-vjetorin e themelimit të gazetës “Il Tempo”, duke shtuar se modeli me qendrat në Gjadër do të funksionojë.
“Nuk do të lejoj që modeli që kemi krijuar, me respekt të plotë të ligjit italian dhe atij europian, të çmontohet, sepse disa politikanë nuk janë dakord me të dhe me mënyrën se si duhet të menaxhojmë emigracionin. Jam e vendosur për të ecur përpara”, u shpreh kryeministrja italiane.
Duke u ndalur te vendimi i gjykatës së Romës për të kthyer emigrantët, ajo tha:
“E konsideroj të paarsyeshme sepse nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e Shqipërisë, por për emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë nga disa kombe. Gjyqtarët i referohen një vendimi të Gjykatës Evropiane, por mosnjohja e atyre emigrantëve të parregullt filloi shumë më herët. Çështja e Shqipërisë është instrumentale, mendoj se dënimi është diktuar nga një vizion shumë i ndryshëm nga ai i qeverisë”, shtoi Meloni.