Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK thotë se po merret me hetimin e mesazheve kërcënuese ndaj figurave publike në aplikacionin “Signal”. Ka rezultuar, bën me dije Prokuroria e Posaçme, se mesazhet që pretendohet se rrjedhin nga transkripte bisedash të SKY/ECC janë manipuluar dhe bisedat janë të pavërteta.
“Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.
Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.
Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve.
I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara”, njofton SPAK.
Kujtojmë se pak ditë më parë, kreu i grupit të PD Gazment Bardhi u paraqit në SPAK pikërisht për këtë lloj shqetësimi. Pas denoncimit që bëri, ai deklaroi se ka marrë mesazhe kërcënuese nëpërmjet “Signal”, duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me përfaqësues të botës së krimit.