Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë me disa udhëzime për demokratët. Me anë të një mesazhi, Berisha ka shpërndarë “urdhërin” e tij për drejtuesit politikë të qarqeve, qeveritarët vendorë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e të gjithë anëtarët që janë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. Berisha fokusohet në 6 pika dhe kërkon që demokratët të shfrytëzojnë çdo mundësi që u jepet; të marrin pjesë në debate nëpër emisione, të bëjnë konferenca për shtyp, të japin prononcime për media, të mbajnë marrëdhënie korrekte me gazetarët, dhe analistët. E më kryesorja: të mos shmangin asnjë debat me socialistët. Por para se të bëjnë të gjitha këto, kërkon që të njoftojnë zyrën e shtypit që t’i ndjekin jo vetëm për të nxjerrë lajmet, por edhe për t’i ndihmuar me të dhëna që mund t’u duhen!
“Mos harroni se Edi Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij, kërkojnë të zëvendësojnë në debate deputetët dhe ministrat socialistë të diskretituar dhe mëkatar deri në veshë, me opozitar të opozitës, kryetar pa parti, pra të zhvendosin debatin midis opozitës dhe kallp opozitës. Ndaj dhe njëherë cilido që t’ju ftojë në debat me gazetarë, analistë apo përfaqësues të PS nuk duhet të refuzohet. Në asnjë debat me figura kallpe dhe individë të marrë peng nga regjimi për krimet e tyre nuk duhet të marrim pjesë. Para se të shkoni në studio për debat duhet të njoftoni zyren e shtypit, të kërkoni të dhena për çështjet në debat dhe në rast se ka mesazh dite për ju do t’jua nisë! Më e rëndësishmja të kujtohi çdo orë dhe çdo ditë se studio, valët dhe ekrani pa asnjë censurë për ne janë vetem rrjetet tona sociale: Facebook, Instagram, X të cilat çdo orë dhe çdo ditë duhet të kenë vendin më kryesor në komunikimin tonë me qytetarët dhe betejën tonë me narko-regjimin e Edi Ramës!,”-shkruan Berisha ndër të tjera.
Mesazhi i Berishës:
Mesazh drejtuar: Drejtuesve të qarqeve, anëtarëve të Kryesisë së PDSH, Deputetëve, Qeveritarëve vendorë, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Kryetarëve, Sekretarëve për Marrëdhëniet Publike dhe zëdhënësve të degëve të PDSH.
Me këtë mesazh në këtë vit elektoral duhet: 1-Të shfrytezohet çdo mundësi dhe njohuri dhe lidhje për të qenë të pranishëm në debate, konferenca shtypi, prononcime në mediat qendrore dhe lokale. 2-Të mbahen marrëdhëniet më korrekte me gazetarët, dhe analistët. 3-Si parim nuk shmanget asnjë debat me socialistët! 4-Nuk zhvillohet asnjë debat me opozitarët e opozitës. Mos harroni se Edi Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij, kërkojnë të zëvendësojnë në debate deputetët dhe ministrat socialistë të diskretituar dhe mëkatar deri në veshë, me opozitar të opozitës, kryetar pa parti, pra të zhvendosin debatin midis opozitës dhe kallp opozitës. Ndaj dhe njëherë cilido që t’ju ftojë në debat me gazetarë, analistë apo përfaqësues të PS nuk duhet të refuzohet. Në asnjë debat me figura kallpe dhe individë të marrë peng nga regjimi për krimet e tyre nuk duhet të marrim pjesë. 5- Para se të shkoni në studio për debat duhet të njoftoni zyren e shtypit, të kërkoni të dhena për çështjet në debat dhe në rast se ka mesazh dite për ju do t’jua nisë! 6- Më e rëndësishmja të kujtohi çdo orë dhe çdo ditë se studio, valët dhe ekrani pa asnjë censurë për ne janë vetem rrjetet tona sociale: Facebook, Instagram, X të cilat çdo orë dhe çdo ditë duhet të kenë vendin më kryesor në komunikimin tonë me qytetarët dhe betejën tonë me narko-regjimin e Edi Ramës! O sot, o kurrë! Është rradha jonë! Fitore!
Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë. Protesta u mbajt të hënën, më 7 tetor, kur shumë institucione u sulmuan me molotovë. Po ashtu, tabelat e reklamimit u sulmuan me shkopinj. Në kuadër të aksionit opozitar, deputetët nuk kanë lejuar zhvillimin e seancave plenare dhe as të Komisioneve. Pritet që nga opozita aksioni të vazhdojë, pasi kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi se do të ketë edhe grevë urie apo dhe ngujim, por nuk dha më shumë detaje. Opozita kërkon qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në maj të vitit që vjen.