Një debat i fortë është zhvilluar në studion e News24, ku sociologu Ergys Mërtiri ka komentuar vizitën e fundit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në Strasburg, duke e cilësuar si një reagim të paprecedentë në historinë shqiptare. Mërtiri theksoi se nuk ka pasur precedent që një forcë politike të protestojë në Strasburg për probleme të brendshme.

“Kjo tregon se opozita nuk di çfarë bën më dhe përpiqet të shpikë,” tha Mërtiri, duke akuzuar opozitën se përpiqet të hapë konflikte të jashtme për të maskuar paaftësinë e saj për të bindur opinionin publik.

Në replikën e tij, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, mbrojti pozitat e opozitës dhe theksoi se, pavarësisht problemeve të brendshme, nuk duhet të pengohen përpjekjet e tyre për të qenë opozitarë. “Ne nuk kemi kundërshtar politik Berishën apo Bashën. Po bëhet viti i 12-të që jemi në opozitë,” deklaroi ai.

Debati vazhdoi me Mërtirin që vuri në dukje se opozita ka probleme të brendshme dhe e pyeti Sulën pse nuk po reformohet. Sula u përgjigj se opozita ka kaluar në cikle dhe se ka nevojë për një analizë të thellë të situatës.

Mërtiri, në një pikë të debatit, e akuzoi opozitën se po krijon trazira dhe po bën marrëzira duke sulmuar Bashkimin Evropian, ndërsa Sula e mbështeti SPAK-un dhe theksoi se ishte përkrahës i reformave në drejtësi. Mërtiri argumentoi se SPAK po shkatërron opozitën, ndërsa Sula kërkoi që kjo strukturë të veprojë me koherencë.

Mërtiri theksoi se SPAK ka arrestuar ish-ministra të Partisë Socialiste, ndërsa Sula kërkoi më shumë transparencë dhe një trajtim të barabartë dhe koherent.

Pjesë nga debati:

Mërtiri: Kjo formë reagimi është e paprecedentë në historinë shqiptare. Nuk di të ketë protestuar ndonjë forcë politike në Strasburg për problemet e brendshme. Kjo për mua tregon se kjo opozitë nuk di çfarë bën më dhe përpiqet të shpikë. Nëse do ishte instrument i vlefshëm do e kishin bërë më herët. Për mua kjo shpjegon gjithçka në lidhje me aksionet e opozitës. Opozita nuk ka problem me Ramën, por me veten, ndaj përpiqet të hapë konflikte të jashtme. Opozita nuk ka mundësi të bindë opinionin publik dhe të mundë Ramën sepse është e njëjta që ka 33 vite aty. Pafuqinë e saj për të qenë bindëse e shpreh duke krijuar trazira dhe duke shkuar në Strasburg, pra duke bërë marrëzira. Po akuzojnë BE-në se po mban një diktator në krye dhe se ka arrestuar Sali Berishën. BE dhe SHBA janë mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi dhe këta shkojnë me bluze ‘freeberisha’ dhe thonë se po mbajnë një diktator në pushtet në Shqipëri.

Sula: Unë kam në dorë dinjitetin tim ashtu si edhe shumë kolegë. Kjo nuk do të thotë se për shkak të problemeve të opozitës ne duhet të pengohemi nga të qenit opozitarë. Ne nuk kemi kundërshtar politik Berishën apo Bashën. Po bëhet viti i 12-të që jemi në opozitë. Tani lind pyetja, a e ka fajin Berisha apo mazhoranca.

Mërtiri: Të gjithë bashkë jeni rreziku, jeni e njëjta gjë.

Sula: Nuk e pranoj kurrë këtë. Të rrish duke gjetur të keqen 90% te opozita, ky është problem i madh. Opozita ka probleme patjetër.

Mërtiri: Pse nuk reformohet?

Sula: Ka cikle

Mërtiri: Po ka 33 vjet

Sula: Mirë apo keq, shaji sa të duash huqet Sali Berishës, por po-së i thotë po dhe jo-së i thotë jo. Politikani matet nga fjala. Ka qenë kjo vendimmarrje me çmendurinë e djegies së mandateve.

Mërtiri: Berisha vetë e tha që e nisi ai djegien e mandateve, e mbrojti publikisht.

Sula: T’i japim atë që i takon Berishës dhe Bashës. Basha e pati mundësinë dhe humbi në zgjedhje. Unë jam një idhtar i SPAK-ut, mbështetësi më i madh i SPAK.

Mërtiri: Ndaj më vjen keq.

Sula: Unë pavarësisht diskutimeve me zotin Berisha, që në ditën e parë e kam thënë. Kushtetuta thotë se është shkelur e drejta që i takon masës së sigurimit për Sali Berishën, sepse u anashkalua Kushtetuta për dhënien e masës së sigurisë ndaj Berishës. Publikisht ia kam thënë në sy Sali Berishës nëse do të akuzohej për koncesione, vjedhje të fondeve publike, e kisha zero kompleksin për t’ia thënë në sy dhe zero për të patur rezerva në lidhje me çështjen e hetimit të Sali Berishës. Kolegët e mi dhe opozita kur shohin që hetohet një ish-kryeministër para 12 vitesh dhe ministra sot që kanë shkuar të mbuluar tërësisht me probleme… unë nuk e drejtoj gishtin, por kryetari i bashkisë kryen korrupsion galopant dhe ky nuk shihet…

Mërtiri: Është duke u hetuar Veliaj..

Sula: Hetim për sy e faqe mund të ketë

Mërtiri: Ku e di ti si është?

Sula: Po të isha prokuror nuk do ngrija akuzë për një VKM kolegjiale, si për Sali Berishën apo të tjerë. Ilir Meta u arrestua as 24 orë pa kaluar arrestimi i një deputeti të mazhorancës. Si institucion, siç ka politika të korruptuar, nuk është gjithë sistemi. Besoj se brenda politikës edhe drejtësisë ka njerëz të ndershëm, por edhe të korruptuar. Ka segmente të SPAK që fryjnë nga ana e kësaj mazhorance.

Mërtiri: Pra fajin e ka SPAK që po shkatërron opozitën?

Sula: SPAK duhet të ketë koherencë të plotë. SPAK të nxjerrë para zgjedhjeve listën e politikanëve që kanë përdorur platformat e enkriptuara SKY dhe Encrochat.

Mërtiri: Tani po thoni që fajin e ka SPAK për shkatërrimin e opozitës, akuza më e rëndë që mund t’i bëhet një prokurorie.

Sula: Duhet të jenë të kujdesshëm në hetimet e tyre dhe koherentë.

Mërtiri: Zgjedhjet janë çdo dy vite, i bie këta të mos gjykohen kurrë. Kush është dënuar nga opozita, Berisha ka pasur detyrim për paraqitje, por i bëri gangsterllëk drejtësisë dhe përfundoi në ballkon, nuk është burgosur akoma. I vetmi që është burgosur është Meta. SPAK ndërkohë ka arrestuar ish-ministra të PS. Ishin figura të larta, ke drejtorë të rëndësishëm që janë në burg. Nga amnistia që bëri Berisha me Ramën liroi 120 të korruptuar. Këta janë zemra elektorale e Ramës në zgjedhje. SPAK i ka kapur këta dhe ka çjerrë fytyrën e kësaj qeverie. Ky SPAK e ka degjeneruar këtë mazhorancë. Falë SPAK Rama është më i lehtë për t’u mundur në zgjedhje. Të ndjekësh një kryeministër nuk është aq e lehtë sa thonë këta. Edhe Rama e ka frikë SPAK dhe po e sulmon, pavarësisht se nuk e thotë me fjalë. Rama ngriti komision hetimor kundër SPAK dhe u detyruan të huajt ta mbrojnë nga Rama. Këta po bëhen me Ramën kundër SPAK. Opozita po mbrohet nga burgu. SPAK është shpresa e vetme e këtij vendi.