Babai i Enea Themoraj, të riut që humbi jetën tragjikisht pasi u plagos nga një tritol që iu vu dy motrave Nikolli në Elbasan, ka bërë apel për ndihmë.
Në një telefonatë me Top News, babai i të ndjerit shprehet mes dhimbjes se viktima ishte i vetmi që punonte në shtëpinë e tyre, ndërsa ai dhe bashkëshortorja janë invalidë.
Ai thotë se djali iu vra brenda në banesë teksa po shkonte në tualet ku i ra dera nga shpërthimi i tritolit, ndërsa kërkon ndihmë përmes linkut të Gofoundme të shpërndarë nga mbesa e tij.
I pyetur nga gazetari se kë fajëson për këtë ngjarje tragjike, ai thotë se çështjen e ka në dorë drejtësia:
“Unë nuk kam pasus ndihmë nga autoritet bashkiake. Fare nuk kam pasur mbështetje. Mu vra çuni brenda në shtëpi. Gjendja ime e familjes ka qenë shumë e vështirë. 3 muaj nusja te Trauma ka hequr picirin e zi, çuni ka qenë shumë rëndë. Jam invalid i grupit të dytë që në fëmijëri, nusen e kam prapë invalidë.
Djalin e vogël e kam pa punë, vetëm atë kisha krah dhe ndihmë financiare. Ishte punëtore, djalë shembullor, nuk ngatërrohej me njeri. Në shtëpi të vet, duke shkuar në tualet, ndodhi shpërthimi dhe i ra dera në kokë.
Nuk kam fjalë, nuk e përshkruaj dot më. Atë kisha mbështetje, nuk kisha tjetër. Jam në pikë të hallit, jam keq shpirtërisht.
Linkun e Gofoundme e ka hap mbesa ime për të ndihmu dajën…familja ime ka nevojë për ndihmë. Gjithë Elbasani ka ardhur për ngushëllim, nuk e priste askush.
Nuk fajësoj njeri, nuk e di, e kam lënë në dorë të shtetit të bëjë çfarë të dojë me njerëzit që kanë vënë tritolin, nuk kam punë unë”.