“Wir schaffen das”, apo “Ne mund ta bëjmë këtë” – ishte refren i vazhdueshëm i Angela Merkelit në vitin 2015, atëkohë kancelare e Gjermanisë. Me të, shprehte vendosmërinë e saj për t’iu hapur dyert imigrantëve – shumë prej të cilëve iknin nga lufta në Siri, e të tjerët nga Afrika e Veriut, Iraku e Afganistani.
Më 2015 dhe 2016, mbi 1.2 milion njerëz aplikuan për azil në Gjermani dhe rreth 800.000 në pjesë të tjera të Evropës, duke shënuar kështu lëvizjen më të madhe të popullsisë në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore. Një studim i publikuar në korrik nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik gjeti se shkalla e punësimit të imigrantëve në Gjermani në vitin 2022 ishte 70% – dukshëm më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të BE-së. Me rritjen e së djathtës ekstreme ndër vite dhe pas disa sulmeve të kryera nga imigrantë të dyshuar, Gjermania sot ka ligje më të ashpra për azilin dhe kontrolle në të nëntë kufijtë e saj tokësorë. Në margjina të një samiti të BE-së, javën e kaluar, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Qeveria e tij është duke luftuar me sukses imigracionin e paligjshëm.
“Në muajt e fundit, Gjermania kishte gati 50% më pak kërkesa për azil, krahasuar me një vit më parë, dhe dëbimet vazhduan gjithashtu”, tha Scholz. Gjermania s’është e vetmja. Kontrolle në kufij vendosën edhe shtete të tjera, si Austria, Franca, Danimarka, Sllovenia etj., edhe pse bëjnë pjesë në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Si arsye, shumë prej tyre përmendën kërcënimet terroriste dhe sistemet e mbingarkuara të azilit. Polonia, në anën tjetër, paralajmëroi se do ta pezullojë përkohësisht të drejtën për azil, pasi Finlanda më herët mbylli të gjithë kufirin me Rusinë, për shkak të azilkërkuesve.
Italia, ndërkohë, zgjodhi edhe një rrugë tjetër, duke hapur dy qendra imigrantësh në Shëngjin dhe në Gjadër të Shqipërisë, në të cilat planifikon të mbajë burra që kapen në ujërat ndërkombëtare, derisa përpiqen të kalojnë nga Afrika në Evropë. Atje do të përpunohen vetëm aplikacionet e njerëzve nga vendet që Italia i konsideron të sigurta – në total 21 syresh. Ndaj, shumica pritet të refuzohen – ata që pranohen, çohen në Itali, të tjerët riatdhesohen. Kështu kërkon marrëveshja që kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nga e djathta ekstreme, bëri me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, vitin e kaluar.