Jo pak herë Partia Demokratike e ka akuzuar deputetin e PS Fatmir Xhafaj si hetues të kohës së komunizmit.
Vetë Xhafaj, i ftuar në emisionin Opinion, është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka qenë hetues i komunizmit.
Blendi Fevziu: Në vitet ’80 keni qenë hetues procesesh politike. Një grua që pretendonte se është keqtrajtuar nga ju si hetues, pra është rrahur nga ju si hetues.
Fatmir Xhafaj: Ke bërë emision ti Fevzi.
Blendi Fevziu: Po, ka dalë zonja live nga Gjermania.
Fatmir Xhafaj: Je kënaqur me këtë gjë se e ke bërë live. Kjo është një shpifje. Kam mbaruar studimet për drejtësi, jam caktuar në rrethin e Krujës, kam filluar fillimisht si ndihmës ligjor dhe më pas kam kaluar gjyqtar.
Kur kisha bërë 2 vite gjyqtar, një pjesë, jo vetëm mua, me vendim i kaluan në hetuesi për të forcuar hetuesinë. Ka një dallim, hetuesia e 1984 nuk është hetuesia e Ministrisë së Brendshme. Atëherë Prokuroria bënte kontrollin e hetimit dhe përfaqësimin në gjyq. Këta ishin pjesë e sistemit të drejtësisë. Nuk kam qenë kurrë pjesë e hetuesisë.
Blendi Fevziu: A keni bërë proces politik?
Fatmir Xhafaj: Zero!
Blendi Fevziu: Çfarë çështje keni bërë në atë kohë?
Fatmir Xhafaj: Çështja për të cilën folët është një çështje që ka filluar për vjedhje banesash, për vjedhje të pasurisë publike që quhej në atë kohë të magazinave dhe disa banesa publike në qytet. Është kapur ky grup dhe në atë kohë më ka rënë mua për pjesë ta hetoj.
Blendi Fevziu: Keni ushtruar ju dhunë ndaj këtyre personave?
Fatmir Xhafaj: Zero. Pasi kam ikur unë, gjatë hetimit kolegëve të mi ju kanë dalë elementë të rinj. Unë kam ikur në gjysmë të procesit. Hapeni dosjen, po gjetët një firmë timen për çështje politike.
Blendi Fevziu: U nisëm nga dëshmia e zonjës.
Fatmir Xhafaj: Ti si gazetar shko verifikoje meqë e ke pasur me pasion këtë gjë, je marrë personalisht me këtë gjë.
Blendi Fevziu: Jam marrë personalisht me çdo çështje që del. Nuk jam marrë me ty personalisht.