Xhamia e Namazgjasë do të hapet më datë 10 tetor! Edhe pse nuk ka asnjë të konfirmuar zyrtarisht, ishte imami turk Enes Bastur, ai që zbuloi se i është besuar drejtimi i xhamisë së Tiranës.
Dje, ZËRI raportohet se imami lajmëroi detyrën e tij të re në rrjetet sociale, duke shtuar se “bekimi” i ishte dhënë nga drejtoria e çështjeve fetare.
Për të marrë një version nga autoritetet shqiptare lidhur me atë që po ndodh, ZËRI tentoi që të kontaktonte me numrin e vënë në dispozicion nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka asnjë përgjigje. Ndërsa për “Top Channel”, KMSH është përgjigjur duke u shprehur se deri më tani nuk kanë asnjë qëndrim zyrtar. Por po ashtu shtuan se: Emërimet në krye të xhamive nuk i bëjnë institucionet fetare të shteteve të huaja, por institucionet fetare shqiptarë.
“Edhe imamë të tjerë nuk pranuan të prononcohen duke u përgjigjur shkurt që nuk ka asgjë zyrtare,”-bën me dije “TopChannel”.
Por mesa duket kanë zgjedhur që të heshtin pasi edhe pse nuk është zyrtarizuar, të enjten, ditën që presidenti turk Recep Tajip Erdogan do të vijë në Shqipëri do të mbajë një konferencë me kryeministrin Rama. Më pas, të dy do të inagurojnë edhe xhaminë e Namazgjasë që ka vite që është gati dhe pret besimtarët myslimanë. Deri më tani, për çdo festë zyrtare të kalendarit mysliman (Dy Bajramet), besimarët janë “detyruar” që të kryejnë faljen në sheshet e kryeqytetit. Ndërsa xhamia e re, për shkak të madhësisë së saj, është në gjendje të bëjë akomodimin e të gjithë besimtarëve për faljen dhe ritualet e ditëve të festave.
Se përse lajmi po mbahet “diskret” dhe ende nuk ka asnjë njoftim lidhur me atë që do të ndodhë, ende nuk dihet.
Xhamia e Namazgjasë, e njohur edhe si Xhamia e Madhe e Tiranës. Që prej vitit 1920, kur Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, kishte plane për ndërtimin e një xhamie qendrore për shumicën myslimane të Tiranës dhe Shqipërisë. Me realizimin e projektit do të fillonte ndërtimi i xhamisë në vitin 1993, pas rënies së diktaturës komuniste, gjatë së cilës nën urdhërat e diktatorit Enver Hoxha në vitin 1967, Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë” dhe pothuajse të gjithë faltoret (xhamitë, kishat e teqetë) u shkatërruan. Në vitin 1992, pranë Kuvendit u vendsos një gurthemel me shkrime në shqip dhe arabisht. Megjithatë, ndërtimi u pengua nga deputeti katolik Pjetër Arbnori.
Edhe pse shumica e qytetarëve të kryeqytetit ishin myslimanë, nuk është ndërtuar asnjë xhami. Xhamia e Et’hem Beut, e ndërtuar në fund të shekullit 18, në Sheshin Skëndebej, ka vend vetëm për 60 besimtarë. Kështu që besimtarët, faljen e namazve të festave më të rëndësishme islame (Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin) ishin të detyruar që ta kryenin nëpër sheshe ose rrugë. Në këto raste, shiu ishte gjithmonë problem.
Derisa në prill të vitit 2013, 21 vite pas gurthemelit të parë, me rastin e mevludit (ditëlindjes së profetit Muhammed) u nënshkrua marrëveshja mes qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për ndërtimin e xhamisë së re qendrore.
Në hedhjen e gurthemelit të dytë morrën pjesë Selim Muça, kryetari i atëhershëm i KMSH-së, kryeministri Sali Berisha dhe kryebashkiaku Lulzim Basha. Në tetor të vitit 2014, qeveria e Edi Ramës lëshoi lejen e nevojshme për ndërtimin e xhamisë. Edhe pse ndërtimi duhet të fillonte në janar të vitit 2015,themelet u hodhën më 13 maj 2015, në prani të Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishanit dhe Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdoanit. Xhamia duhet të përfundojë brenda tre viteve, por nuk ndodhi.
Në vitin 2022, presidenti turk Recep Tajip Erdogan premtoi hapjen e xhamisë gjatë një vizite në Shqipëri. Madje premtoi se do të rikthehej vetë për ceremoninë. Mendohej se Erdogan do të kthehej në Tiranë në fillim të muajit maj, duke premtuar hapjen e xhamisë së Namazgjasë në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Pritja që m’u bë mua dhe delegacionit tim në Shqipëri që në momentin kur shkelëm në tokën deri në largim, është shenjë e lidhjes shpirtërore që nuk këputet mes nesh dhe vëllezërve tanë në Ballkan. Për ne vetëm kaq është e mjaftueshme. Pamë nga afër edhe punimet në xhaminë madhështore në Tiranë që po ndërtojmë ne. Puna vijon ende. Me Ndihmën e Zotit, punimet do të përfundojnë shpejt dhe deri në fund të muajit të Ramazanit do ta hapim për besimtarët. Do të jem sërish në Tiranë për ceremoninë e hapjes,”-thoshte ai, por kurrë nuk ndodhi.
Për moshapjen e xhamisë, reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nga Kuvendi tha se arsyeja e mosmbajtjes së premtimit ishte posti i kreut të Kominitetit Mysliman, Bujar Spahiut. Sipas ish-kryeministrit, Erdogani donte largimin e Spahiut, pasi ky i fundit është shkolluar në institucionet e financuara nga Fetullah Gylen, personi që i bëri “puç” presidentit turk.
“Xhamia e Namazgjasë nuk u hap festën e Fitër Bajramit. Edi Rama ka dërguar njerëz për ti bërë presion kryetari të KMSH për të dhënë dorëheqjen sepse këtë do Erdogan. E denoncoj. Nuk lejohet asnjë ndërhyrje. I bëj thirrje presidentit të Turqisë, të sjellë çdo dosje, por që të fajësojmë ne njerëz pse janë shkolluar me fondet e Gylenit kjo nuk mund të ndodhë. Me gjithë respektin që kam përe ju dhe vendin tuaj. Nuk duhet ndërhyrë për të caktuar kryetarin e KMSH. Xhaminë të falenderojmë për ndërtimin. Por PD nesër në pushtet do të paguajmë çdo qindarkë, se për ne autonomia është shumë më e çmuar se ndërtesat e kultit,”-thoshte Berisha nga Kuvendi.
Por pse është “non-grata” për Erdogan Bujar Spahiu?
Kryetari aktual i KMSH konsiderohet nga shteti turk si një njeri pranë fondacionit FETO (gylenist), pasi ka studiuar përmes ndihmesës me bursë nga një nga fondacionet e themeluara nga Fetullah Gylen. Armiqësia e njohur e Erdogan me rrjetin Feto është kthyer në kufirin që presidenti turk ka vendosur në miqësinë e tij me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Më 17 janar, Erdogan kërkoi hapa konkretë dhe e quajti një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve. Gjithashtu ai e cilësoi FETO-n “kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”. Në këto kushte, Myftinia shqiptare në mes të dy zjarreve doli me një zgjidhje pak javë më parë.
Në shtator të këtij viti, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë një përpjekje duke u munduar që të gjejë një formulë për të bërë të mundur hapjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë. Përmes një letre angazhimi të publikuar në faqen zyrtare “kmsh.al”, Komuniteti Mysliman Shqiptar ka propozuar që menaxhimi i xhamisë të bëhet nga shqiptarët dhe turqit, por pronësia e objektit të kultit të jetë e KMSH-së. E gjitha ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje në mënyrë që xhamia të hapet dhe të vendoset në dispozicion të besimtarëve.
Por çfarë propozon konkretisht KMSH?
Komuniteti jep dakordësinë që xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni që do të marrë përsipër menaxhimin dhe përdorimit pa afat të xhamisë si edhe të kompleksit përreth saj, (i përbërë nga parkingu, dyqanet, restorantet, biblioteka, sallat shumë-funksionale, klasat, shatërvanet, abdesthane, kopshtet dhe oborri i xhamisë). Fondacioni do të drejtohet nga Myftiu i Tiranës (Bilal Teqja) dhe do të ketë përfaqësues nga të dyja palët.
“Fondacioni udhëhiqet nga Kryetari i Fondacionit, i cili është Myftiu i Tiranës. Kryetari i Fondacionit ka të drejtën të përfaqësojë Fondacionin përpara të tretëve si dhe të drejtën për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin. Detyrat dhe kompetencat e tjera janë parashikuar në statutin e Fondacionit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë,”-shkruhet ndër të tjera në lestrën e bërë publike, si tentativë për të zgjidhur ngërçin që vazhdon prej vitesh nga pala turke, e cila ka financuar ndërtimin e projektit.
Fondacioni do të drejtohet nga Myftiu i Tiranës dhe do të ketë përfaqësues nga të dyja palët. Siç konstatohet edhe në dokumentin e shpërndarë nga KMSH, Myftiu i Tiranës do të ketë fuqi ekzekutive dhe do të përfaqësojë fondacionin që do të menaxhojë xhaminë në palët e treta.
Nëse është marrë në konsideratë kjo “formulë” nuk dihet. Më shumë do mësojmë të enjtën.
Por lajmi i mirë është për besimtarët. Më në fund do të kenë një ambient për të kryer ritualet e tyre! Xhamia ka 4 minare me gjatësi 50 metër dhe një kupolë qendrore të stilit klasik turk, e gjatë 30 metra. Sipëfaqja e xhamisë është 10,000 m2 dhe kati i parë i xhamisë do të ketë një qendër kulture, sallë konferencash, bibliotekë, sallë ekspozitash, restorante, dhoma pune dhe dhjetë klasa për studimin e fesë islame dhe Kuranit. Rreth 4,500 besimtarë do të mund të falen njëkohësisht në xhami, duke zgjidhur kështu përfundimisht problemin e faljes në rrugë./ZËRI