Është vetëm dy muaj histori, por nga ato që tronditin botën. Në atë fillimi të tmerrshëm të vitit 1997, dukej sikur gjithçka kishte dalë duarsh në Shqipëri. Njerëzit që kishin humbur ato të pakta kursime që kishin, shumëkush edhe shtëpitë, kishin dalë rrugëve për të protestuar. E vetmja gjë që kishin për të humbur, ishte jeta dhe asokohe dukej sikur edhe ajo ishte zhvlerësuar. Pasi kanë kaluar 14 vjet qysh atëherë, publicisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja, nxjerr një libër të titulluar “Nëntëdhjeteshtata – Apokalipsi i rremë”. Botim i shtëpisë botuese “Marin Barleti”. Është një rrëfim i detajuar i atyre muajve, nga një njeri që jo vetëm e ka përjetuar atë periudhë si çdo shqiptar tjetër, por ka qenë edhe pjesë aktive e zhvillimeve të kohës. Në vitin e mbrapshtë, Lubonja u zgjodh drejtues i Forumit për Demokraci, një koalicion i partive më të rëndësishme opozitare, krijuar për gjetjen e një zgjidhjeje situatës së krijuar pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri. Duke qenë pjesë e tavolinave, bisedimeve, prapaskenave.. Lubonja rrëfen se ç’ka ndodhur me të vërtetë në ato muaj të vështirë. Është pjesa e padukshme e historisë, ku përmenden emra politikanësh të vjetër e të rinj, të atyre që mbanin postet më të larta të pushtetit, që nga Berisha, Meksi, Shehi, tek ata më të rinj, si Majko, Zogaj, Ceka etj. Lubonja e ka bërë veten personazh dhe preferon të flasë në vetën e tretë, duke e quajtur veten Fatos Qorri. Aty-këtu ai i referohet edhe fletëve të ditarit, të mbajtur aso kohe. Ngjarjet e librit hapen me rrahjen e Edi Ramës dhe Lad Myrtezait, me të cilët vetëm pak para se të ndodhte incidenti, Lubonja kishte qenë në të njëjtën tryezë. Ç’u bisedua atë natë dhe vizita në shtëpinë e prindërve të Edi Ramës, ku ai shtrihej i plagosur. a.m
FATOS LUBONJA
Te Noeli
… Sapo hyri brenda, Qorri hodhi sytë përreth. Lokali ishte përplot me klientë që kishin krijuar një tymnajë të dendur duhani. Në njërin kënd ishin disa oficerë policie. Ca më përtej pa disa aktorë të rinj të teatrit. Tek tryeza e vogël, e mbështetur në shtyllën qendrore të lokali, qe edhe Shvarci me Ditën, një aktore e re bionde që e simpatizonte shumë përkthyesin e famshëm. Diku edhe më në qoshe, në tryezën më të privilegjuar e më të thellë të lokalit, dalloi një nga funksionarët më të lartë të PD-së, zv/kryeministrin Dashamir Shehi, që e kishte shumë qejf rakinë. Tek tryeza më e afërt me derën, gjeti një grup miqsh. Ishte piktori Edi Rama, i cili kishte ardhur për ca ditë nga Parisi ku ishte me një bursë krijimtarie, piktori Lad Myrtezai, gruaja e Edi Ramës, Delina, që rrezatonte energji me zërin e saj të lartë, si dhe aktori Artan Imami me të shoqen, këngëtaren e bukur Rovena Dilo. Të gjithë kishin qenë me lëvizjen antikomuniste në fillim të viteve ’90, por ishin ndarë herët me partinë në pushtet. Përveç Rovenës, të tjerët qenë edhe firmëtarët e një peticioni intelektualësh kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë, që kishin përfunduar me rrahjen në sheshin “Skënderbej” të deputetëve të opozitës, që kishin dalë për të protestuar.
Qorri zhveshi kapotën treçerekëshe, shallin dhe kasketën që e mbante mbrapsht në kokë, i vendosi në varësen aty pranë dhe u ul në tryezën e tyre. Ata ishin në valën e bisedës mbi një përleshje që kishte ndodhur mes policisë dhe demonstruesve tek firmat piramidale që kishte emrin e gruas që e drejtonte, Sudja. Kjo rome, që askush nuk e besonte se mund të merrej me punë të tilla si ngritja e firmave financiare, ishte bërë personazhi i ditës. Pasi kishin pritur më kot të merrnin paratë, njerëzit kishin ngulmuar që Sudja të dilte t’i sqaronte. Ajo kishte dalë më në fund në një dritare dhe u kishte thënë: “Do t’ju kthej përgjigje pasi të konsultohem me kompetentin, por do të prisni ca se nesër nisem për pushime!”. Lajmi se Sudja do të nisej për “pushime”, kishte rënë si bombë mes njerëzve që prisnin. Ishte kuptuar se ky qe fundi i shpresës për t’i marrë paratë. Kishin dalë të tërbuar në rrugën kryesore dhe kishin filluar të hidhnin parulla kundër qeverisë. Kërkonin të dinin se kush ishte kompetenti. Policia i kishte shpërndarë egërsisht. Në tryezë po thuhej se kompetenti me shumë gjasa ishte vetë Kryeministri Meksi.
Rama, që nuk përmbahej kur fillonte të fliste, i përmendi pushimet e Sudes, duke u tallur me zë të lartë. Disa veta nga tryezat përbri kthyen kokën, ndër ta edhe një prej policëve. Ata u panë sy ndër sy dhe ulën zërat.
“Sa mirë që erdhe”,- i tha Rama Qorrit, “takova sot ata të Aleancës. Të gjithë thoshin se ka ardhur momenti për të bërë diçka, se opozita duhet të vihet në krye të protestave. Pas Sudes, do të bien njëra pas tjetrës edhe piramidat e tjera”.
Aleanca Demokratike ishte partia e intelektualëve të zhgënjyer, që ishin shkëputur të parët nga PD-ja. Të gjithë në atë tryezë mbështesnin atë parti. Sipas Ramës, liderët e Aleancës i kishin thënë se qenë dakord të bashkëpunonin me ish-komunistët, dhe të krijonin, sa nuk ishte vonë, një front kundër Berishës. Por donin që Qorri të futej patjetër në këtë front si ish-i burgosur politik i njohur. Kishin biseduar edhe me Kurt Kolën, kryetarin e Shoqatës së të Persekutuarve Politikë, i cili ishte dakord që nisma për krijimin e këtij fronti të merrej nga Shoqata.
“Nuk jam personi i përshtatshëm për këtë punë”,-u tha Qorri.
“Pse?”
“Më duket se nuk kam prirje të vihem në krye njerëzish. I kam mbështetur ata të Aleancës me shkrime. Sapo kam hartuar dhe një deklaratë dhe një protestë në emër të tyre”.
“Për çfarë”?
“Përgënjeshtroj pretendimet e Berishës se nuk kanë pasur dijeni për piramidat. Se kështu po thonë tani: Nuk dinim gjë. Po si ka mundësi? Berisha që s’ka kursyer asgjë për të na gjurmuar ne, paska lënë pa hetuar këto Piramida! Kam rreshtuar faktet: reklamat që u ka bërë piramidave Radiotelevizioni shtetëror; kërcënimet që bënë bosët e tyre para zgjedhjeve, se po të vinte në pushtet ndonjë parti tjetër, njerëzit nuk do t’i merrnin përqindjet e interesit, fushatën e tyre elektorale që qe e mbushur me makinat, flamujt, simbolet e Gjallicës dhe VEFA-s. E mbyll duke thënë se këta njerëz nuk mund të jenë zgjidhësit e krizës , e se nuk mund të na gënjejnë me arrestimin e ndonjë mashtruesi, prandaj duhet ulja në tryezë e të gjitha forcave politike shqiptare”.
“Po protesta?”,-pyeti Delina.
“Ua kam nisur atyre të Zërit të Amerikës, për dijeni edhe Ambasadës Amerikane këtu. E kemi me ata pisat, korrespodentët e tyre në Tiranë. Po i përcjellin ngjarjet në mënyrë skandaloze. Janë komplet në shërbim të Berishës. Nuk kanë turp dhe dalin krah për krah me punonjësit e policisë dhe të shërbimeve sekrete në makinat që ushtrojnë dhunë për të shpërndarë turmën”.
“Mirë ata, po Ambasada ç’thotë? Au bindën, më në fund, se kjo qeveri s’duhet mbështetur?”
“Harrojeni”, ndërhyri Artan Imami, duke tentuar ta ulë sa të mundë zërin e tij të trashë dhe kumbues, për të cilin Rama e qesëndiste duke i thënë “ti je vetëm zë”.
“Pse?” – e pyeti e shoqja.
“Sepse ambasadorja është me origjinë italiane, mike e ngushtë e Forestit, ambasadorit Italian, një nga njerëzit më të afërt të Berishës”.
Mirëpo Edi Rama iu kthye përsëri bisedës që kishte bërë me aleancistët.
“Kam shkruar edhe unë në Paris një shkrim,- i tha Qorrit, por sa mbërrita këtu mu duk i tejkaluar, se ngjarjet këtej po rrokulliseshin marramendshëm. Nuk vlejnë më shkrimet dhe deklaratat. Ti duhet të hidhesh në veprim”.
“Më lër rehat, kam filluar të shkruaj një roman mbi piramidat, – i tha Qorri, do ta titulloj “Vapori me sheqer”.
“Lëre mo vaporin me sheqer se këtu po mbytet vapori me njerëz”.
Në bisedë e sipër, panë se zv/kryeministri Shehi u ngrit për të dalë, i shoqëruar nga dy tipat me të cilët ishte në tryezë. Kur u gjend pranë tryezës së tyre, ndaloi. Ishte i pirë dhe kjo i jepte pamjes së tij ambiguitetin karakteristik të të dehurve, ku nuk dallon dot dashurinë nga agresiviteti. Nuk kuptohej nga vështrimi që po u hidhte, nëse ishte miqësor, pasi i njihte, apo armiqësor dhe kërcënues, prapë pasi i njihte. Pushteti është dehur, i përshpëriti Edi me zë të ulet Myrtezait që e kishte në krah. Shehi nuhati se diçka u tha për të dhe desh të qëndronte, por pronari i lokalit, që po e shoqëronte, i hapi derën.
Unë jam tirons i vjetër, u briti Shehi me zërin e trashur nga rakia, teksa ikte. Vështirë ta kuptoje nëse e tha për t’u treguar se ai nuk ishte si shefi i tij, Presidenti Berisha, që qesëndisej nga kundërshtarët për origjinën e tij nga shpellat e maleve të Veriut, apo se ishte qytetar më i vjetër i Tiranës se ata, prandaj nuk i pirdhte?
Qorri nuk kishte dëshirë të qëndronte gjatë. Para se të largohej, shkoi në tryezën e Shvarcit për ta përshëndetur. E njihte përkthyesin që kur kishte qenë fëmijë. I ninëzohej i vetmuar në Kafe Tirana me një libër, apo një bllok shënimesh në tryezë, me një filxhan kafe përpara, duke kaluar orë të tëra. I kishte ngacmuar imagjinatën asokohe, edhe sepse mbante një kapele republike nga ato të liderëve komunistë, por që atij i rrinte ndryshe, që atëhere kishte dëgjuar se ai nuk ishte shqiptar, por çifut që kishte lindur në Sarajevë e që kishte ardhur në Shqipëri së bashku me prindërit kur kishte qenë shumë i vogël…
Pastaj u ngrit e u largua, pasi u përshëndet edhe me tryezën ku kishte bujtur. Ata do të qëndronin edhe ca dhe pastaj Artan Imami, i vetmi që kishte makinë, do t’i dërgonte në shtëpinë e Edit dhe Delinës, ku banonte dhe Myrtezai…
Dorezat e hekurit
Të nesërmen në mëngjes, ndërsa ishte ende në shtrat, Qorri dëgjoi Ben Kumbaron që po i thërriste nga poshtë me një zë, ku ndihej një kumt i keq. Kur doli në dritare, pa Benin gjysmë të shaluar mbi biçikletën e tij, me një fytyrë më të zymtë se ajo që kishte zakonisht.
“Çfarë ka ndodhur?”
“Edi Ramën dhe Lad Myrtezain i kanë goditur me doreza hekuri në kokë”.
“Kur?
“Mbrëmë vonë, kur ktheheshin për në shtëpi nga Noeli”.
“Si janë”?
“Jashtë rrezikut, por keq, veçanërisht Edi”.
“Ku ndodhen?”
“Pasi i kanë qepur në spital, i kanë kthyer në shtëpi”.
“Atëherë s’ka rrezik jete”.
“Jo”.
Veshi kapotën, rrasi kasketën së prapthi në kokë, duke e tërhequr më fort se zakonisht nga prapa dhe zbriti me nxitim poshtë. Atje mori biçikletën që e mbante lidhur tek një hekur i shkallës dhe u nisën të dy për në shtëpinë e prindërve të Edi Ramës, ku ishte shtruar ai, pasi e kishin kthyer nga spitali. Rrugës, Beni i tregoi aq sa dinte për çfarë kishte ndodhur. Disa persona të panjohur u kishin bërë pritë në zonën e errët të pallatit të Edit, pak më përtej vendit ku i kishte lënë me makinë Artan Imami. Kishin qenë të maskuar me kapuçë. Delinën e kishin lënë të kalonte, kurse ata të dy i kishin sulmuar duke i goditur me doreza hekuri. Ladi kishte shpëtuar më lehtë, vetëm me një çarje në kokë. Edin e kishin goditur shumë më egërsisht: kishte përfunduar në spital me disa çarje të thella në kokë dhe me hundë të thyer. Ishte më mirë, por me kokën krejtësisht të fashuar dhe shumë i traumatizuar.
Teksa dëgjonte tregimin e Benit nga maja e biçikletës, Qorri nuk mund ta ndalte mendjen së kërkuari shkaqet e mundshme të kësaj goditjeje, me një ndjenjë frike edhe për fatin e vet. Menjëherë i dolën parasysh fytyrat e shefave të policisë të një darke më parë, ndër to edhe fytyra e dehur e zv/kryeministrit Shehi teksa dilte nga Noeli. Nuk mund të mos i lindte dyshimi se sinjali ishte nisur që andej, por prapë nuk donte ta besonte. Apo mos kishin dijeni për bisedat që kishte bërë me aleancistët për krjimin e një fronti opozitar të bashkuar, e donin ta shkatërronin këtë ide pa lindur? Deshi të besonte për një çast se ndoshta arsyeja e goditjes mund të ishte armiqësia me një komshi të pallatit përballë, militant i PD-së. Ky thuhej se ishte ankuar për performancat që bënin lakuriq në shtëpi dy artistët; se po i prishnin moralin e familjes dhe se e kishin detyruar të mbante dritaret mbyllur. Por kjo mund të ndodhte në verë, jo tani në dimër. Jo, jo, të mendoje se goditja nuk kishte të bënte me atë që po ndodhte në të gjithë vendin, ishte një naivitet. Kjo goditje ishte një sinjal kërcënimi për të gjithë.
I kaloi nëpër mend se kishte tre-katër vjet që shtypi dhe media e Berishës mbillte urrejtje kundër intelektualëve, që iu kundërvunë rrugës, që mori partia Demokratike pasi hipi në pushtet. Antishqiptarë, tradhtarë, spiunë, homoseksualë; qenë epitetet më të zakonshme të përdorura kundër tyre. Kishin krijuar posaçërisht për ta edhe disa epitete të reja, si “grekosllavoortodoksë”, që tregonte nacionalizmin dhe racizmin e një vulgu që nuk u mor vesh se si buthtoi aq shpejt në partinë e parë antikomuniste. Edi Rama kishte qenë një nga më të sulmuarit, për shkak të shkrimeve të tij. Tani që pushteti ndihej i kërcënuar, gjuha e urrejtjes po shndërrohej në dhunë direkte. Po pse kishin zgjedhur Edi Ramën? Kush e kishte kryer goditjen? Ishte akti spontan i ndonjë militanti fanatik të nxitur nga klima e urrejtjes, apo urdhri i dikujt që e kishte programuar qëllimisht? Kësaj nuk mund t’i përgjigjej me siguri, por anonte nga kjo e dyta.
* * *
Shtëpia e prindërve, ku ishte shtruar Edi Rama, një apartament në katin e katërt të një pallati ndërtuar në kohën e komunizmit, ishte e hapur si në një ditë zie. Njerëzit hynin e dilnin në dhomën e pritjes dhe në kuzhinë. Vetë i plagosuri ndodhej në njërën nga dhomat e gjumit.
Qorri hyri një moment për ta parë. Iu afrua shtratit të tij me frikën se nuk do të qe në gjendje të përballonte pamjen e një fytyre të gjymtuar dhe ashtu i doli. Nuk ishte e lehtë të rezistoje para asaj fytyre të nxirë e të buhavitur, gjysma e së cilës ishte e mbuluar kryqazi me dy fasho të bardha që takoheshin të gjakosura mbi hundën e thyer. Anës fashove mezi dukeshin sytë e nxirë. Edhe buzët i kishte të stërfryra. Edi Rama diç tentoi t’i thoshte, por nuk mund të fliste. I doli një si belbëzim. Qorrin e pushtoi një ndjenjë e përzier ngashërimi, që i ndodhte shumë rrallë. Eshtë shenjë dobësie nervash, të cilat nuk mund të mos ishin të dobëta, sesa ashtu të sulmuara nga tërë ato ndjenja të fuqishme kontradiktore, ku tmerri për atë që po shihte, pleksej me dëshpërimin, keqardhjen, dhe pafuqinë për të kundërvepruar.
Nuk qëndroi gjatë aty. Kaloi në dhomën tjetër ku gjeti shumë të njohur dhe miq. “Duhet bërë diçka, duhet të bësh diçka”, – dëgjoi zërin e Delinës që sikur po i fliste njëherësh atij dhe të gjithëve. Mbeti ndërdyshas, sikur po priste që dikush të merrte një vendim.
“E vetmja që mund të bëj, është të shkruaj në “Koha Jonë””, – iu përgjigj, pasi pa që nuk doli ndonjë propozim më i mirë.
Edi Rama, pasi qe goditur, kishte kryer një akt që iu duk sa i çuditshëm, aq edhe një mrekulli për shtypin. Ashtu siç kishte qenë, i shpërfytyruar nga goditja, me fytyrën të larë në gjak, nuk kishte pritur të vinte ambulanca, por kishte trokitur tek dera e një komshiu të tij fotograf dhe i kishte kërkuar ta fotografonte. Qorri mori në dorë fotografitë që fotografi i kishte larë që atë natë. Vrajat e gjakut që zbrisnin nga koka dhe hunda e shpërthyer nga doreza e hekurit, lanin fytyrën, këmishën e bardhë të lëshuar dhe zbrisnin poshtë pantallonave. Seç kishte një kontrast në këtë pamje, me faktin që njeriu që kishte pësuar ato goditje gjakderdhëse ishte ende në këmbë. Iu kujtua një legjendë e vjetër me një të vrarë që ecën duke mbajtur në dorë kokën e prerë…