Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka ndarë sot pamjet e programit stërvitor të Njësisë Speciale RENEA në Bizë.
“Specialët e RENEA-s në një ditë stërvitje në terren të vështirë malor, duke perfeksionuar zbritjen me litar nga helikopteri.
Të gatshëm për të ndërhyrë në çdo situatë emergjence”, thuhet në postimin e ministrit.
Ndërkohë, kjo Njësi Speciale po stërvitet në bazë të programit stërvitor të miratuar nga Drejtoria e Forcës Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me Regjimentin e Helikopterëve Farkë.
Tema e kësaj stërvitjeje ishte: “Zbarkimi me litar nga helikopteri në zonat malore, duke përdorur teknikën FASTROP, mbulimin e forcave me snajper gjatë zbarkimit”.
Qëllimi i kësaj stërvitjeje është rritja e aftësive profesionale dhe e performancës së trupave operacionale, duke ndërvepruar dhe koordinuar taktikisht me Regjimentin e Helikopterëve Farkë, për t’iu përgjigjur në kohë situatave të ndryshme reale.
Sipas ministrit, stërvitja e përbashkët u realizua me sukses duke arritur qëllimin e saj.
Në përfundim të stërvitjes u ra dakord që eksperienca të tilla të vazhdojnë dhe në të ardhmen.