Partia Demokratike ka bojktuar edhe Komisionin Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up, si shenjë proteste për burgosjen e Ervin Salianjit, i cili po vuan dënimin me 1 vit pas hekurave në burgun e Fierit.

Kryetarja e Komisionit Hetimor, Albana Vokshi nuk u paraqit në sallë dhe drejtimin e mbledhjes e mori nënkryetari, Plarent Ndreca.

Deputeti socialist u shpreh se mbledhja do të zhvillohej pa prezencën e opozitës, duke shtuar se mosparaqitja e tyre në Komision është një vendimarrje politike.

Ndërsa theksoi se ndjen keqardhje për mosprezencë të opozitës në mbledhje.

“Sot është mbledhja e radhës e dakordësuar edhe me kryetaren e Komisionit, edhe me përfaqësuesit e opozitës, me vendimmarrje përkatëse nga Komisioni. Ky është zbatim i vendimit për thirrjen e dëshmitarëve.

Kemi detyrimin të vijojmë mbledhjen në respekt të vendimmarrjes që kemi marrë si Komision. Me keqardhje për mosprezencë të opozitës, por është vendimmarrje politike, as nuk na përket dhe as nuk duhet ti përkasë këtij komisioni”, tha ai.

Bojkotimi i Komisionit Hetimor një ditë pas kaosit të krijuar në Parlament, ku PD dogji karriget para Kuvendit dhe bllokoi foltoren.