Ditën e sotme është mbajtur seanca e radhës për dosjen “Metamorfoza”. Seanca ka përfunduar pas 3 orësh ndërsa u shty për një ditë tjetër, për shkak të orarit të zgjatur. Gjyqi u shoqërua me debat mes dy prokurorëve Arben Kraja dhe Altin Dumani me avokatët e të pandehurve.
Sipas mbrojtësve ligjore, pas më shume se një viti Prokuroria e Posaçme ka pranuar që provat e grumbulluara nga zbërthimi i Sky Ecc nuk janë dokumenta siç kanë pretenduar deri më tani, por janë përgjime. Më tej gjatë seancës u theksua se këtë qëndrim e kanë mbajtur avokatët që prej ditës së parë që kur ka nisur ky proces.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka përmes avokatëve të tij ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padi, ku kërkon pavlefshmëri të komunikimeve në Sky. Padia ka kaluar në dhomë këshillimi, ndërsa pritet të caktohet një datë për shqyrtimin e saj nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Personat nën akuzë kundërshtojnë mënyrën se si janë tërhequr aktet nga SPAK të vënë në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. SPAK nga ana tjetër kërkon që kushtetuesja ta rrëzojë ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme.
Nga operacioni i SPAK i quajtur “Metamorfoza” kanë përfunduar disa persona në pranga, mes të cilëve ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, prokurorë e biznesmenë. Në pranga kanë përfunduar ish-drejtori i forcave operacionale në Policinë e Shtetit Oltion Bistri; drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbenga dhe Edmond Preka. Ish-drejtuesi i Operacionales Oltion Bitri akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe nxjerrje të akteve sekrete, kurse prokurori Xhevahir Lita për akuzën e korrupsionit. Oficeri tjetër i policisë që është liruar nga detyra një vit më parë, Ardit Hasanbega që ka qënë pjesë e policisë së Shkodrës dyshohet se ka ndihmuar anëtarët e grupit Bajri për të kryer vrasjen ngelur në tentativë të Ibrahim Licit. Në kërkim mbeten shumica prej personave të përfshirë në grupin kriminal, e përkatësisht Ervis Martinaj, Denis Bajri, Klaudio Haka, Prek Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Marvraj dhe Elion Hato