Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni mori pjesë në Forumin Global të OECD për Ndërtimin e Besimit dhe Forcimit të Demokracisë, që u zhvillua më 21-22 tetor në Milano, Itali.
Gjatë këtij forumi, Pirdeni diskutoi me vendet e Partneritetit Lindor për përvojat në forcimin e institucioneve demokratike.
Pirdeni tha se “vura theksin tek reformat transformuese që ka ndërmarrë Shqipëria, me në krye Reformën në Drejtësi, për të krijuar institucione të qëndrueshme, por edhe të besueshme”.
“Pavarësisht se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Partneritetit Lindor përballen me një presion gjeopolitik të ndryshëm, bashkërisht ndajmë disa nga sfidat e konsolidimit të institucioneve dhe thellimit të reformave që sjellin standardet evropiane në vendet tona”, theksoi Pirdeni.
Në këtë forum u diskutua se si mund të trajtohet rritja e polarizimit në shoqëritë tona dhe si të promovohet dialogu social për të nxitur reformat që u duhen demokracive të vendeve në mbarë botën.