Shqiptari Minako M., 45-vjeç, do të qëndrojë në burg me akuzën e “tentativës për vrasje”. Vendimi është marrë nga gjyqtari i Gjykatës së Milanos, Domenico Santoro, pasi shqiptari tentoi që të vriste partneren e tij nga Ukraina. Sipas mediave italiane, ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 6 tetorit.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, shqiptari sulmoi partneren e tij, teksa kishin nisur një debat. Kur e qëlloi me shuplakë, djali më i vogël i gruas, vetëm 15-vjeç, ndërhyri në përpjekje për të mbrojtur nënën e tij nga dhuna e partnerit. Në pamundësi për të ndalur sulmin, i riu telefonoi vëllain e tij të madh, 18 vjeç, i cili në atë moment ndodhej jashtë shtëpisë nën shoqërinë e disa shokëve.
Në momentin që ky i fundit u kthye në shtëpi, bashkë me 4 persona të tjerë, të cilët ishin miqtë e tij, situata degradoi. Minako M., ka marrë armën e tij dhe ka qëlluar të riun duke e goditur në qafë. Arma e përdorur, siç rezultoi nga hetimet, ishte vjedhur në vitin 2013 në Sassuolo, në provincën e Modena-s, për këtë arsye burri do të duhet të përgjigjet edhe për veprën penale të vjedhjes.
Menjëherë pas ngjarjes, i riu i plagosur është transportuar me urgjencë në spitalin Niguarda, ku një ekip mjekësor i specializuar për traumat e mëdha ka kryer një operacion delikat kirurgjik. Gjendja e tij ishte kritike por tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë. Pavarësisht se gjendja e të riut është përmirësuar, akuza ndaj shqiptarit mbetet ajo e tentativës për vrasje.
“Të shtënat me armë zjarri në qafë mund ta kishin vrarë të riun,”-thanë ekspertët para gjykatës.