Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të prezantojë “planin e fitores” të Kievit, gjatë takimit të radhës me aleatët perëndimorë, që do të mbahet në Gjermani.
“Ne do të prezantojmë planin e fitores, hapa të qartë dhe specifikë për përfundimin e drejtë të luftës”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale më 5 tetor, duke iu referuar pushtimit të Ukrainës që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.
Takimi i 25-të i mbi 50 aleatëve dhe partnerëve, që njihet si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, do të mbahet në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermani më 12 tetor.
Duke iu referuar strategjisë si “paqe përmes forcës”, Zelensky tha se “plani i fitores parasheh forcimin e nevojshëm të Ukrainës”.
Presidenti ukrainas tha se Kievi veçse ka nisur diskutimet me Shtetet e Bashkuara, mbështetësin kryesor të Ukrainës gjatë luftës, dhe shtoi se “ne do të përfshijmë të gjithë partnerët”.
Zelensky nisi të përmendte “planin për paqe” të Ukrainës në gusht dhe më pas njoftoi se ai ishte pothuajse gati dhe përmbante “katër pika kyçe dhe një që duhet të zbatohet pas luftës”.
Gjatë vizitës në Uashington muajin e kaluar, ai ia prezantoi planin presidentit amerikan, Joe Biden, si dhe dy kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit: nënpresidentes demokrate, Kamala Harris, dhe ish-presidentit republikan, Donald Trump.