Kosova mund të rikthejë mallrat e ndaluara nga Serbia, e kjo pas insistimit të Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të tyre.
“Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”, kjo ishte përgjigja që i ktheu qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar një kërkesë të tillë. Ambasada Gjermane në Kosovë konfirmoi se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.
Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me arsyetimin e një ndalesë e tille bllokon punën e CEFTA-s, ose Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Mbajtja e saj në fuqi, sipas zyrtarit të lartë gjerman, mund t`i rrezikojë Kosovës pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit, që objektiv kryesor të tij ka zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Europian.
Edhe në vizitën e fundit në Prishtinë, ai theksoi se shumë investitorë po investojnë në Serbi, prandaj edhe Kosova duhet të krijojë parakushte për investime dhe të punojë për një treg të përbashkët.
“Për Kosovën ende nuk ka lajme të reja për sa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, kur kanë mbetur vetëm edhe dy javë në shënimin e 10-vjetorit të këtij procesi. Gjermania vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta largojë masën e sigurisë për mallrat serbe duke e cilësuar këtë masë në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Europës Qendrore”, tha i dërguar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor. Përveç Kosovës, pjesë të CEFTA-s janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.
Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për arsye sigurie. Asokohe policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës.
Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi. Kjo masë e Prishtinës zyrtare bëri që niveli i importeve nga Serbia të binte me 70%, dhe të rritej nga ana tjetër ai me Shqipërinë.