Florjan Përgjoni vazhdon të jetë shqetësimi kryesor për Tiranën e Bledi Shkëmbit. Ndonëse klubi e priste që mbrojtësi të kthehej në fushë pas ndeshjeve të kombëtares shqiptare, një gjë e tillë zor se do të ndodhë.
Kapiteni zyrtar i skuadrës, do të qëndrojë jashtë fushave të lojës, të paktën deri në fund të tetorit. Edhe pse mjekët e kishin siguruar që gjithçka ishte mirë, dhe futbollisti, madje nisi stërvitjen, problemet e vogla e kthyen pas riaftësimin e tij.
Këmba ende nuk i është ngjitur dhe mjeku ka sugjeruar 10 ditë të tjera pushim. Vetëm pas dhjetë ditësh dhe pasi lojtari të shohë gjendjen e këmbës, do të vendoset nëse do të nisë stërvitjen. Duke llogaritur që në mes të tetorit teorikisht nis vrapimet, Përgjoni do të jetë i gatshëm për ndonjë takim nga mesi i nëntorit, për të mos thënë më vonë. Kapiteni u dëmtua në sfidën miqësore me Skënderbeun, pak para nisjes së kampionatit dhe që prej asaj dite vazhdon të mos stërvitet dhe të jetë një mungesë për Tiranën.