Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka miratuar qarkoren “Për hetimin e çështjeve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe të mediave”.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Prokuroria, thuhet se duke vlerësuar se liria e medias është thelbësore për funksionimin normal të shoqërisë demokratike dhe se siguria e gazetarëve dhe e mediave ndaj çdo forme veprimi të paligjshëm që përbën vepër penale, është garanci për ushtrimin e të drejtës kushtetuese dhe konventore të lirisë së shprehjes, Prokuroria e Përgjithshme angazhohet për të trajtuar çështjet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe medias si një prioritet institucional.

Gjithashtu Prokuroria shton se kjo qarkore synon koordinimin e veprimtarisë si dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale në drejtim të mbrojtjes së gazetarëve nga çdo akt kërcënimi, dhune apo çdo veprim i paligjshëm që synon pengimin e tyre në ushtrimin e profesionit.

Në bazë të saj, drejtuesit e prokurorive dhe prokurorët duhet të ndjekin me përparësi çështjet që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe të mediave dhe të mbikëqyrin në vazhdimësi punën e oficerëve të policisë gjyqësore që hetojnë këto çështje, për të siguruar shpejtësinë dhe cilësinë e hetimeve.