Nga Sebastian Zonja
Aktualisht, në Amerikë, ka vakum politik për shkak të fushatës së ashpër zgjedhore. Në raste të këtilla, vendet e fuqishme dhe që kanë plane e projekte për të realizuar, janë në front të parë për të realizuar ambiciet e tyre. Për shembull, një nga argumentet që përdoret shpesh se pse Rusia sulmoi Ukrainën është se pa administratën Tramp që nuk kishte të njëjtën përkujdesje për aleancat ushtarake.
Sot, tensionet janë të larta për shkak të një konflikti të mundshëm, të drejtëpërdrejtë, mes Izraelit dhe Iranit. Një pjesë e mirë e studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë kohë që e thonë se qëllimi kryesor i Izraelit është Irani, pasi ai furnizon dhe mban në tension vendet me shumicë sunite dhe vetë Izraelin. Një pjesë e vendeve sunite kanë fërkuar duart kur Izraelin filloi operacionin në Gaza e më pas në Liban. Në pamundësi për të ndërhyrë vetë kundër Iranit, në heshtje mbështetën Izraelin. Duke qenë se shumica e vendeve sunite janë proamerikanë, me këtë logjikë janë edhe proizraelitë. Ndërkohë, Irani është në aleancë me Kinën dhe me Rusinë.
Pse Izraeli kërkon të godasë Iranin?
Ndërsa Irani po kërkon të ndërtojë armën bërthamore, e vetmja fuqi që mund ta ndalojë është Amerika. Deri më tani ka përdorur sanksionet. Vetëm Amerika ka fuqinë ajërore për të shkatërruar centralet bërthamore dhe ka gjithashtu fuqinë tokësore për të përballuar ushtarakisht këtë vend në Lindjen e Mesme.
I vetëm, Izraeli nuk e bën dot. Kapacitetet ushtarake të Iranit, tani që ka rinovuar krejt industrinë ushtarake me ndihmën e Rusisë dhe me paratë që fiton duke shitur naftë te Kina (shmang sanksionet), janë të njëjta me Izraelin. I vetmi ndryshim është se Izraeli ka rreth 200 mbushje bërthamore që e bëjnë aktorin më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Aktualisht, për të përballuar një goditje izraelite apo amerikane, Tehrani ka marrë teknologjinë e fundit antiraketore nga Moska dhe Pekini. Vizitat e politikanëve dhe ushtarakëve rusë në Teheran kanë qenë të shpeshta.
Goditja e centraleve bërthamore në Iran mundëson mbajtjen e stafetës nga Izraeli si fuqi rajonale. Në të kundërt, nëse Irani shkon drejt armës bërthamore, futet në klubin e fuqive të mëdha (si Korea e veriut), atëherë amerikanët janë të detyruar që të pajisin me armatim bërthamor Arabinë Saudite apo Turqinë. Për një pjesë të studiuesve, si Keneth Uollc, kjo sjell stabilitet rajonal. Ndërkohë, për një pjesë tjetër, kjo sjell tensione më të forta rajonale, duke parë fuqinë destabilizuese të Iranit.
Në artikujt në vijim do të trajtojmë këto tema:
A është e interesuar Rusia për një front të ri lufte?
A mundet amerikanët të përballojnë një luftë me dy fronte, Rusi dhe Iran?
Si përfiton Kina nga kjo situatë, duke qenë se ka zbutur varësinë energjetike nga Irani me anë të furnizimit nga Rusia, por mund të shtyjë SHBA-të në një konflikt që zor se del për disa vite?
Turqia është kthyer në Kinën e Evropës, ndërkohë që këto konflikte e gjunjëzojnë ekonomikisht. Cilat janë interesat turke në rajonin e Lindjes së Mesme, për sa kohë projekton fuqi në atë rajon?
Si ndikon te zgjedhjet në Amerikë, duke qenë se administrata e ardhshme nuk do ketë mundësi të fokusohet në aleancat për të rrethuar Kinën, por do çojë vëmendjen në Lindjen e Mesme sërish?