Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Greqi, ku dy kushërinj, vranë 28-vjeçarin Denis Loka. Autorët janë dy vëllezër, 17-vjeçari Enis Loka dhe vëllai i tij, 19-vjeçari Aleksandros Loka. Sipas emisionit “Të vërtetat me Zenën”, dy vëllezërit e motrat dyshohet se kanë thënë në polici se e kanë vrarë kushëririn e tyre sepse ai kishte abuzuar seksualisht me ta kur ishin fëmijë.
Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në Shqipëri, kur Denis Loka ishte 16 vjeç. Në atë kohë, njëri nga autorët ishte vetëm 5 vjeç dhe tjetri 7. Në rrëfimin e tyre në Polici, mësohet se ata kanë thënë se ngjarja i kishte shënjuar përjetë dhe se nuk e mbanin dot më përbrenda atë që kishte ndodhur. Kështu që kur morën vesh se abuzuesi i tyre do të vinte në Greqi, kishin vendosur që të përballeshin me të dhe t’i kërkonin një shpjegim.
Si e futën në kurth?
28-vjeçari shkoi dje në Greqi. Dy vëllezërit e telefonuan dhe i dhanë një takim në Kypseli. Kur ai mbërriti në vendngjarje pa dyshuar asgjë, vëllezërit e pyetën: Pse na abuzove kur ishim fëmijë?. Në këtë moment, viktima u është përgjigjur: Çfarë e hapni këtë temë tani, ne të gjithë ishim fëmijë!
Kjo përgjigje ka inatosur dy vëllezërit, të cilët me një thikë e kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Për ngjarjen, në Greqi nuk ka asnjë denoncim për abuzimin e dy vëllezërve dhe autoritetet po hetojnë nëse ka pasur në Shqipëri ndonjë çështje të hapur. Përveç dy vëllezërve janë arrestuar edhe prindërit e tyre, pasi njëri prej tyre është i mitur.
Autorët u dorëzuan vetë në Polici. 17-vjeçari ka treguar se ishte ai personi që e plagosi me thikë, plagë që më pas i morën jetën 28-vjeçarit, ndërsa për 19-vjeçarin tha se kishte qenë bashkëpunëtor. Gjithashtu është marrë në pyetje edhe babai i dy vëllezërve. Ai është shprehur se kishte kontaktuar me 28-vjeçarin dhe e kishte pyetur nëse ishin të vërteta. Sipas tij, Denis Loka i kishte pranuar akuzat dhe tha se “ishin gabime që i bëmë kur ishim fëmijë…”