Deputeti i Partisë Demokratike, Fatmir Mediu, ka deklaruar se Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 2025 me lidershipin e opozitës të akuzuar e të arrestuar.
I ftuar në News 24, Mediu u shpreh se që nga 2013 nuk ka pasur Reformë Zgjedhore, dhe është ndryshuar Kushtetuta që të ndalohet bashkimi i opozitës në një koalicion të vetëm.
Ai u shpreh se kryeministri Rama ka interes të sigurojë sipas tij, 94 mandate në Kuvend për të ndryshuar Kushtetutën dhe për ta kthyer vendin në Republikë Presidenciale, që drejtohet prej atij.
“Interesi tij është të marrë 94 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për ta kthyer në Republikë Presidenciale që drejtohet prej atij, shembull si ka ndodhur në Rusi e Turqi”, tha Mediu.
Sipas demokratit, kryeministri ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore.
Mediu: Që nga 2013 nuk ka pasur Reformë Zgjedhore dhe në mënyrë të qëllimshme është ndryshuar Kushtetuta që të ndalohet bashkimi i opozitës në një koalicion të vetëm, dhe absolutisht po shkojmë në zgjedhje me lidershipin e opozitës të akuzuar, të arrestuar, duke i thënë shqiptarëve që këta nuk mund të kryejnë më aktivitet politik, dhe duhet të shkojnë të ajo që është interesi i Edi Ramës.
Interesi tij është të marrë 94 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për ta kthyer në Republikë Presidenciale që drejtohet prej atij, shembull si ka ndodhur në Rusi e Turqi.
Veprimet që janë bërë janë jo kushtetuese. Sa i përket përgjegjësisë së Edi Ramës, ai është kryeministër i vendit, dhe në qoftë se në Shqipëri ka korrupsion galopant, trafiku i drogës ka një ndikim të madh në vendimmarrje dhe se lista e deputetëve të PS përcaktohet në bashkëpunim me krimin, në qoftë se nuk bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe rezultati përcaktohet në tryezë, kjo nuk është drejtimi i një kryeministri që respekton ligjin dhe Kushtetutë. Është përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore e tij.