Një garë për historinë. E tillë ajo e atletes keniane, Rut Çepngetiç, në maratonën e Çikagos. Në qytetin e njohur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Çepngetiç vendosi një rekord të jashtëzakonshëm botëror.
E shkëputur fuqishëm nga rivalet që në gjysmën e itinerarit prej mbi 42 kilometrash, 30-vjeçarja dha kohën fenomenale prej 2 orësh, 9 minutash e 56 sekondash.
Rekordi i mëparshëm botëror i maratonës u vendos vitin e kaluar në Berlin nga Asefa e Etiopisë me 2h11’53”. Kjo do të thotë se ajo e ka ulur kohën me plot 1’57”, dhe që u bë e para maratoniste femër që zbret nën 2h’10’.
Çepngetiç arriti fitoren e tretë radhazi në Çikago, e para grua që e arrin këtë. Diferenca me rivalet ishte kaq e madhe, saqë Kebede nga Etiopia, që doli e dyta, arriti në cak me më shumë se 7 minuta e gjysmë vonesë.
Keniana deklaroi pas garës se realizoi një ëndërr dhe se ia dedikon fitoren atletit kenian, Kelvin Kiptum, që vendosi vjet rekordin botëror ne maratonë për meshkuj, dhe 4 muaj më pas humbi jetën në një aksident automobilistik në moshën 24-vjeçare. Pra, që të dy rekordet botërore në maratonë, për meshkuj dhe për femra, i përkasin Kenias.