Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti të mërkurën në Kroaci për një samit me liderët e Ballkanit – përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani – ndërsa vendi i tij përpiqet të ndalë avancimet ruse në lindje të Ukrainës, me Kievin që kërkon më shumë ndihmë ushtarake.
Zelensky tha në platformën X se kishte mbërritur në Kroaci për të marrë pjesë në samitin që po mbahet në pjesën jugore të Dubrovnikut.
Samiti do të diskutojë për “përpjekjet ndërkombëtare për ta afruar paqen… si dhe bashkëpunimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha ai.
Kroacia do të presë liderët e 12 shteteve rajonale dhe Zelenskyn në këtë udhëtim të tij për të siguruar mbështetje nga aleatët, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund t’i lënë nën hije zhvillimet në Ukrainë.
Samiti do të tregojë se “i gjithë rajoni mbështet Ukrainën dhe popullin ukrainas në luftën për liri”, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviç.
Ai premtoi vazhdimin e “solidaritetit me Ukrainën… duke përfshirë ndihmën ushtarake”.
Së bashku me Zelenskyn dhe Pllenkoviçin do të jenë krerët e shteteve, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Presidenca e Kosovës ka thënë se në këtë samit “pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën”.
Ndërsa, në margjinat e këtij samiti, Osmani pritet të zhvillime edhe takime të ndara me homologët e saj.
Fushata për ndihmë ushtarake
Takimi pranë brigjeve të Adriatikut është samiti i tretë “Ukraina-Evropa Juglindore”.
Në samitin e fundit të mbajtur në Shqipëri në shkurt, Zelensky bëri thirrje për mbështetje më të madhe për të ndihmuar në mbrojtjen kundër forcave ruse.
Ai vazhdoi të kërkojë më shumë ndihmë, ndërsa Rusia po përfiton në fushëbetejë nga avantazhi me burime njerëzore dhe municione.
Zelensky gjithashtu kërkoi leje për të përdorur armët me rreze të gjatë, që janë dhënë nga aleatët, për të sulmuar objektiva ushtarake thellë brenda territorit rus.
Një deklaratë e përbashkët në fund të samitit pritet të dënojë agresionin rus, të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës dhe planin e paqes të Zelenskyt, të kërkojë ndjekje penale për krimet e luftës në Ukrainë dhe të mbështesë integrimin evropian dhe anëtarësimin në NATO të Kievit, sipas mediave lokale.
Përplasje në Kroaci për Ukrainën
Pllenkoviç tha se në dy vjetët e fundit, ndihma e Kroacisë për Ukrainën, kryesisht ushtarake, arrin në 300 milionë euro.
Ai vizitoi Kievin muajin e kaluar, në vizitën e tij të tretë në Ukrainë që nga pushtimi rus në shkurt të vitit 2022, ndërsa kjo do të jetë vizita e parë e Zelenskyt në Kroaci.
Lideri ukrainas pritet të nënshkruajë një marrëveshje me Pllenkoviçin për mbështetje dhe bashkëpunim afatgjatë ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja do të përqendrohet kryesisht në përvojën e Kroacisë për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe largimin e minave pas luftërave të Ballkanit të viteve 1990.
Por, takimi ndodh në mes të një përplasjeje të brendshme për Ukrainën midis qeverisë konservatore të Kroacisë dhe presidentit Zoran Millanoviç./rel