Një zyrtar i lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rrëfyer në kushtet e anonimatit për agjencinë e lajmeve Reuters se Uashingtoni ka paralajmëruar qeverinë iraniane që të ndalojë komplotet kundër ish presidentit Donald Trump, duke ia bërë të qartë Teheranit se çdo përpjekje e tillë do të konsiderohet një akt lufte.
Presidenti amerikan Joe Biden është informuar vazhdimisht mbi kërcënimet që vijnë nga Teherani për republikanin Donald Trump tha zyrtari i lartë, ndërsa shtoi se administrata demokrate i ka dërguar mesazhe liderëve të lartë të qeverisë iraniane që të ndalojnë të gjitha këto përpjekje.
Zyrtari i lartë në SHBA tha për Reuters se Irani është paralajmëuar tashmë se çdo akt për atentat ndaj Trump, do të shihej nga Uashingtoni si një akt që do të nxiste nisjen e luftës mes dy vendeve.
Teherani ka mohuar deri më tani se po kërkon të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe se po përgatit atentate ndaj Donald Trump.
Qeveria e Iranit në fakt ka akuzuar Uashingtonin se prej dekadash ka ndërhyrë në punët e tyre të brendshme, duke përmendur ngjarje të tilla si grusht shteti i vitit 1953 kundër kryeministrit e deri tek vrasja e komandantit të tyre ushtarak në vitin 2020 nga një sulm me drone që u krye nga Shtetet e Bashkuara.
FBI-ja amerikane ka njoftuar fushatën e Trump se Irani po kërkon eliminimin e tij disa javë më parë, me ekipin e republikanit që e ka konfirmuar diçka të tillë publikisht.
Nga ana tjetër Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se çdo sulm ndaj shtetasve amerikan do të kishte pasoja tejet të rënda për Teheranin.
Ish presidenti amerikan Donald Trump është përballur me dy tentativa për atentat ndaj tij përgjatë këtij viti, ndërsa Shërbimet Sekrete Amerikane kanë shtuar mbrojtjen ndaj republikanit bazuar në një ligj dy partiak të miratuar nga Kongresi. Ekipi i Trump ka kërkuar përgjatë ditëve të fundit mbrojtje të shtuar, duke thënë se atyre iu nevojitet një avion ushtarak dhe trupa shtesë për mbrojtjen e kandidatit republikan.