Ja sesi vjen puna. Pas tri ndeshjesh në Ligën e Europës do të duhet që fatin dhe shanset tona t’i kthejmë për mbarë pikërisht atje ku duket më e pamundur, në Tbilisi.
Nuk është se do të kemi përballë një Spanjë, Angli apo Itali, veçse duelet mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, që mund të quhen një klasike e vogël, janë rëndshëm në favor të ekipit nga Kaukazi. E tregoi edhe fitorja e pak javëve më parë, që gjeorgjanët arritën në “Arenën Air Albania”, dhe nuk mund të thuhet se vodhën gjë.
Kombëtarja udhëtoi për në Tbilisi, më shumë sesa e lodhur, e dëshpëruar për humbjen në Çeki, ndërsa mungesat dihen. Sulmi është i copëtuar, pa Brojën, Manajn dhe Uzunin, në mbrojtje nuk kemi kapitenin Gjimshiti, ndërsa mesfusha duket më mirë, edhe pse nuk bindi shumë në Pragë.
Silvinjo është i detyruar që të ketë besim.
Gjeorgjia gjithashtu është e goditur, pasi humbja me Ukrainën nuk është se pritej.
Gjithsesi, trajneri Vili Sanjol pati ankesa për arbitrimin, dhe për cilësinë e fushës, që këtë herë pritet të jetë mjaft më e mirë.
Tekniku francez nuk ka probleme me dëmtimet, dhe skuadra u përgatit e qetë, ndërsa Sanjol tregon se çfarë duhet bërë ndaj Shqipërisë.
“Ne patëm një nisje të keqe të ndeshjes ndaj Ukrainës dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore të humbjes. Shpresojmë që situata të përmirësohet ndaj Shqipërisë. Patëm probleme në krahun e majtë kundër ukrainasve, dhe kjo ndodhi pjesërisht edhe kundër Çekisë. Ne mund të kishim fituar ndaj Ukrainës, por kryesorja është që kundër Shqipërisë ta nisim menjëherë shumë mirë. Ne jemi e njëjta skuadër që arriti sukses në Euro 2024. Duhet t’i ruajmë këto vlera, disiplinën dhe të ecim përpara”.
Atmosfera në stadium kuptohet që do të jetë e zjarrtë, ashtu siç shihet edhe nga festimet e zjarrta që tifozët gjeorgjanë bënë në kryeqytetin Tbilisi pas fitores së kombëtares së tyre në Tiranë.