“Takime” me futbollistë të Interit, si Hakan Calhanoglu, Nicolò Barella dhe Juan Cuadrado, tashmë një ish i zikaltërve. Këto janë disa nga detajet e dosjes së skandalit të ultrasve në Itali, për të cilat lideri i “Curva Nord”, Marco Ferdico, i cili ndodhet prej ditës së djeshme në burg, flet në përgjimet e Policisë Financiare.
“Në të vërtetë”, shkruan Prokuroria, në një bisedë më 26 maj 2023 me ish-mbrojtësin legjendar të Interit, Marco Materazzi , Ferdico thotë “se ka takuar Calhanoglu dhe Barella, për të folur për çështjet kritike që lindën nga afera e biletave të finales së Champions League” dhe ai “do të mësonte edhe ankesat e futbollistit turk për sjelljen e klubit”.
Në kapitullin e hetimeve të quajtur “marrëdhëniet me FC Internazionale” – raportohen raste të presionit të pretenduar ndaj disa drejtuesve të Interit, por edhe ndaj trajnerit Simone Inzaghi dhe ndaj ish-lojtarit të Interit, Milan Skriniar.
“Calhanoglu”, shkruajnë ata, “sipas deklaratave të Ferdicos, ka kaluar në muajin gusht të vitit 2023, një mbrëmje duke darkuar me familjen e tij, së bashku me kapotifozin Antonio Bellocco” , trashëgimtar i një bande pjesë e ‘Ndrangheta’ me të njëjtin emër. Pjesë e darkës ka qenë familja e Ferdico dhe po ashtu e Andrea Beretta, një tjetër kapoultras i Interit, i vrarë nga ky i fundit më pak se një muaj më parë.
Më 19 gusht 2023, është përgjuar një bisedë e Ferdicos, i cili duke iu drejtuar një personi të paidentifikuar i thotë: “Tani dalim të hamë të hënën ose të martën me Calhanoglu, me familjet!”. Në disa rrethana, lexojmë më tej, “siç doli nga bisedat e tjera u kuptua se Ferdico është takuar me futbollistin turk dhe ka marrë si dhuratë fanellat zyrtare të cilat më pas ia kishin dorëzuar Bellocco-s”. Për më tepër, më 22 gusht 2023, shefi ultras “informoi Belloço për një takim me Calhanoglu dhe futbollistin kolumbian të Interit Cuadrado”, i cili “duhej të finalizohej më 24 gusht”.
Më pas del në pah një tjetër telefonatë me Materazzin ku flet për gjoja takime me futbollistin turk dhe Barellan për çështjen e biletave që “Curva Nord” i kërkoi klubit për finalen e Stambollit, ku drejtuesit e ultrasve morën 1500 copë, aq sa edhe kërkuan.
Sakaq, Materazzi, jo nën hetim, shkruajnë prokurorët, është “një njeri që ende besohet se është shumë i afërt me klubin e Interit dhe në të njëjtën kohë i lidhur me eksponentë të Curva Nord”.
Për më tepër, “afërsia e ish-futbollistit me bordin dëshmohet edhe nga prania e tij në takimin mbështetës të Interit më 14 shtator 2023, rast me të cilin u reklamua birra e tregtuar nga Materazzi dhe premtimi (i dokumentuar gjatë një përgjimi telefonik) i Ferdico dhe Beretta që të marrin përsipër të sigurojnë që, në të ardhmen, shitja ekskluzive e kësaj pije të bëhet në stadiumin e mundshëm të Interit”.