Gazetari Basir Çollaku komentoi ndalimin e dytë në Dubai, të Durim Bamit, një personazhi të njohur në botën e krimit.
Çollaku deklaroi në Euronews Albania se arrestimi i Bamit nuk qëndron vetëm brenda kornizës së grupeve kriminale, por edhe ato politike.
Sipas tij, amerikanët kanë dijeni për çështje politike ku ai është përfshirë dhe bisedat që do të zbardhen nga Sky Ecc do të jenë befasuese.
“Unë mendoj se këtu është dorë e partnerëve amerikanë. Ne na mungon një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara, në këtë pellg të Dubai, jo për mos dëshirë të vendeve ku ndodhen ata, por për shkak të mungesës së vullnetit të palës shqiptare. Nuk e di pse duhet të dërgojmë drafe, si ka mundësi që të pandehurit shkojnë në Belgjikë.
Mungesa e kësaj marrëveshje me Shqipërinë bëhet sepse këta çunat në Dubai janë elektoral, janë çunat me arkivë të gjerë penal, jo individual, jo thjesht me grupet kriminale, por edhe me deputetë dhe ministra.
Kjo hataja e SKY do befasojë dhe të shurdhërit dhe të verbërit. Kjo e Bamit, mendoj se partnerët janë në dijeni të detajuar për çështje ku ai është i përfshirë, me ngarkesë politike. Ka ngjyrime politike dhe diplomatike, ka një ‘Big Brother’ edhe në Prokurorinë e Posaçme, edhe ata po veprojnë siç po ju thonë,”-u shpreh gazetari.
Ndërkohë, Bami ka kërkuar nga autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe që të mos ekstradohet, me arsyetimin se jeta e tij është në rrezik në Shqipëri. Ai pretendon se rrezikohet nga rreth 16 banda që synojnë eliminimin e tij fizik.
Durim Bami është një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri. Ai rezulton i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, po ashtu, mbi të rëndojnë akuzat për sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe për sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinaj, Erigers Mihasin dhe Tori Xheçukën.