Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Për të kuptuar më mirë këtë veprim, është e rëndësishme të rikujtojmë dy elemente kyçe. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.
Tre vjet pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, Parlamenti, nën drejtimin e shumicës socialiste, u përfshi në një ngërç tjetër. Për të shmangur këtë situatë, opozita kërkoi këshillim nga Komisioni i Venecias. Në mendimin e tij miqësor të vitit 2020, Komisioni Venecias sqaroi se neni 179 i Kushtetutës kishte për qëllim që 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ndaheshin në tre grupe, me nga tre gjyqtarë secili, për të garantuar zëvendësimin gradual të tyre. Ky rregull për të ruajtur përpjesëtimin u përfshi edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Arsyeja, sipas Komisionit të Venecias, lidhej me ruajtjen e balancës dhe evitimin e bllokimit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Skema e ndarjes së mandateve në distanca kohore prej tre vitesh mbështet këtë parim kushtetues të funksionimit të GJK./GAZETA TEMA