Një restorant hebre në qendër të Athinës dyshohet se u vu në shënjestër të terroristëve të lidhur me Iranin.
Sipas mediave të huaja, që nga viti 2020 janë regjistruar të paktën 33 sulme të tilla në vendet evropiane dhe në SHBA, për të cilat ose autoritetet vendase ose izraelite pretendojnë se janë përfshirë agjentë iranianë. Objektivat përfshijnë qytetarë izraelitë, organizata hebraike, si dhe disidentë iranianë dhe figura që kundërshtojnë regjimin e Teheranit.
Një nga këto raste ka të bëjë me një plan sulmi në Athinë që synonte ndërtesën që strehon qendrën hebraike Chabad dhe një restorant. Sipas provave të zbuluara nga autoritetet greke, Syed Fakhar Abbas, një pakistanez që jetonte në Iran, kishte rekrutuar një pakistanez tjetër, Syed Irtaz Haider, i cili banonte në Greqi, me qëllim për të kryer sulmin në ndërtesë.
Sipas dokumentit Abbas po punonte për një grup që do të paguante rreth 15,000 euro për vrasje. Të dy burrat shkëmbyen mesazhe ËhatsApp në janar 2023, në të cilat dyshohet se diskutuan nëse do të vazhdonin me një zjarrvënie apo sulm shpërthimi.
“Bëni punën në një mënyrë që të mos lini vend për ankesa prej tyre”, shkruhej në dokument.
Sipas dëshmive, Abbas duket se po përgatiste ndërlidhësin e tij, një bashkatdhetar pakistanez të quajtur Syed Irtaza Haider.
Në fund të vitit 2022, Abbas i bëri presion Haiderit të dërgonte imazhe të restorantit të Athinës. Ndërtesa dykatëshe, në një rrugë anësore në një pjesë të frekuentuar të kryeqytetit, strehon qendrën hebraike, e cila ka një dhomë lutjesh dhe restorant.
Autoritetet greke arrestuan Haider dhe një burrë tjetër me origjinë pakistaneze në vitin 2023, duke folur për “përçarje të një rrjeti terrorist që drejtohej nga jashtë dhe synonte të shkaktonte viktima njerëzore”.