Nga Mero Baze/
Filmimet e fundit rreth 21 Janarit që dorëzoi në SPAK gazetari Artan Hoxha, tregojnë me zë dhe figurë, se si komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, jep urdhërin për të qëlluar mbi njerëzit duke u thirrur në emër gjithë vartësve të tij dhe duke ua bërë të qartë “Ky është urdhëri”!
Filmimet që duket se janë regjistrim i komunikimit me radio mes drejtuesve të Gardës, tani risjellin në skenë urdhërdhënësin e urdhëruar, Ndrea Prendi. Ai jep urdhërin për vrasje, duke shpjeguar se ky është urdhri që ka marrë.
Atë ditë urdhëronte Sali Berisha.
Ajo që është interesante, ka të bëjë me njerëzit që nuk mbrojnë dot Berishën dhe duan të zbulojnë edhe këtu rolin e Bashës.
Unë kam qenë një nga kritikët më të mëdhenj të Bashës gjithë kohën, por për 21 janarin të vetmen kritikë që kam pasur për të, ishte fakti që ishte jashtë loje. E kam këtë nga dëshmi brenda policisë, e kam dëshmi nga Sokol Olldashi, i cili më ka treguar me detaje bisedat me të atë ditë, nga presidenti Bamir Topi që i ka bërë publike bisedat me Bashën për 21 janarin dhe nga vet deklaratat publike të Sali Berishës edhe tani që thotë se Basha atë ditë nuk ka pasur asnjë rol.
Madje për ironi të fatit, policia është lavdëruar dhe nga hetimet që janë bërë për qëndrimin e saj më 21 janar, dhe gjithë përgjegjësia për vrasjet është e Gardës.
Tani që provohet që është qëlluar me urdhër dhe jo me “kokë të gardistëve”, siç mbroheshin deri tani dhe akoma më tepër, tani që urdhëruesi fundor mbetet Sali Berisha, kjo përpjekja për t’u kujtuar që ishte dhe Lulzim Basha ministër atë ditë, është përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur Berishën.
Por Berisha për 21 janarin, nuk shpëton dot nga ndëshkimi, edhe sikur të mos dilte kjo kasetë.
Berisha për 21 janarin nuk ka bërë vepër penale vetëm se ka urdhëruar vrasjet.
Ai ka bërë vepër penale, duke u përpjekur të fshehë vrasjet dhe të fajësojë opozitën, duke shpikur armë të improvizuara me “çadra pistoletë” dhe “thika me helm nepërke”, pastaj me shpikjen e grushtit të shtetit dhe shpalljen puçist të presidentit, kryeprokurores dhe katër gazetarëve, me qëllim që të pengonte hetimet, me fshirjen e serverit të Kryeministrisë në përpjekje për të fshirë provat dhe në angazhimin e tij për prishjen e skenës së krimit dhe mosdorëzimin e gardistëve në prokurori.
Veprat penale të tij më 21 janar kalojnë disa burgime të përjetshme për të edhe pa dalë fare kjo kaseta me zë dhe figurë.
Dalja e kësaj vetëm sa e ilustron thjeshtë kush është vrasësi i 21 janarit dhe pse po përpiqet të bëjë si i fortë para ndëshkimit ligjor, duke u betuar se do djegë Shqipërinë.
Një burracak që vrau njerëzit e paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur para derës së tij, është thjesht një frikacak, i cili tani i mbush mendjen vetes se ashtu si më 21 janar kur shikonte nga penxherja e Kryeministrisë si vriteshin njerëz, tani do shikojë nga penxherja e shtëpisë si digjet Shqipëria.
Nuk do ta ketë atë fat. Madje as nga penxherja e burgut s’do të ketë fat ta shikojë.