Në zonën e Pazarit të Ri do të ndërtohet një parking nëntokësor me dy kate. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi planin e projektit, i cili përfshin edhe rehabiltimin e fasadave dhe rrugës “Luigj Gurakuqi” deri te sheshi “Avni Rustemi”. Veliaj tha se me këtë projekt i jepet prioritet njerëzve, duke e kthyer sheshin “Avni Rustemi” në një destinacion për qytetarët dhe turistët e shumtë.
“Nuk i kemi shpallur luftë makinave, por kemi vendosur që hapësira lart të jetë për njerëzit, ndërsa makinat do të futen poshtë, në parkimin e sheshit “Avni Rustemi”. Në hierarkinë e prioriteteve të një qyteti, njerëzit janë të parët dhe pastaj mjetet, në funksion të njerëzve. Parkimi do të ketë 210 poste, kurse sheshi “Avni Rustemi” do të transformohet në një destinacion. Ky është një vendim që e kemi marrë dhe nuk dua që asnjë nga bizneset të ketë dhimbje koke prej punimeve. Do sigurohemi që të mbarojmë pjesën më të madhe të punimeve gjatë dimrit, para se të vijë stina e turistëve. Në momentin që vëmë përpara pjesën më të madhe të volumit të punës, e kemi shumë më kollaj të punojmë me fasadat e ndërtesave individuale”, shpjegoi Veliaj.
Ai u shpreh se një tjetër parking do të ndërtohet në hyrje të Liqenit Artificial për vendosjen e autobusëve të turistëve, si dhe për qytetarët që frekuentojnë parkun me familjen. Kryebashkiaku kujtoi se para 10 vitesh në Tiranë nuk kishte asnjë parkim nëntokësor.
“Sot po adresojmë një nevojë, që ishte nevoja për këtë parkim. Dua t’ju kujtoj që para 10 vitesh s’kishte asnjë parkim nëntokësor publik në Tiranë. Ai te sheshi “Skënderbej”, që na duket se ka 100 vjet aty, nuk ishte. Parkimi te “7 xhuxhat” nuk ishte, e kishte marrë një privat hapësirë aty. Bëmë lodrat sipër, kemi parkimin poshtë. U krijua terminali që hoqi nga Njësia 2 një pjesë të madhe të makinave. Konviktet ku ne jemi rritur, sot janë të njëjta, edhe për studentët e Kolegjit të Europës, edhe për studentët tanë – I kemi bërë me KFË-në me cilësi të lakmueshme. E njëjta gjë do ndodhë edhe me një realitet tjetër te sheshi “Shopen”, te hyrja e Gardës, aty kanë përfunduar rrugët, por ndërkohë tek pendenca që krijohet në hyrje të Parkut të Liqenit, kemi një trafik të jashtëzakonshëm. Ajo pendencë do gërmohet, do bëhet edhe aty një parking, por i një natyre tjetër. Aty do jetë një parking edhe për autobusët e turistëve, që sot rrinë në sheshin “Nënë Tereza”, do të jetë edhe për ata që frekuentojnë liqenin. Do të bëjmë edhe një takim tjetër me komunitetin si ky i sotmi, për të shpjeguar ekzaktësisht se çfarë do të ndodhë aty. Por parimi është: Bëjmë qytet për njerëzit, jo për makinat”, u shpreh Veliaj.
Ai dha lajmin e mirë se puna për terminalin perëndimor në kryeqytet po ecën me ritme të shpejta, duke theksuar se përfundimi i këtij projekti do ta bëjë shumë të thjeshtë lëvizjen për turistët.