Pas 7 vitesh punë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i kanë mbetur për të kaluar në sitë edhe vetëm 6 prokurorë dhe gjyqtarë, nga 805 magjistratë që pati për detyrë t’u kontrollonte pasurinë, figurën dhe profesionalizmin.
Nga shkurti i vitit 2018 deri në 11 tetor 2024, KPK, ndryshe Shkalla e Parë e Procesit të Vetingut konfirmoi 368 prokurorë, gjyqtarë e ndihmës ligjorë dhe shkarkoi plot 267.
Bashkë me këta të fundit, nga sistemi u larguan përfundimisht edhe 105 prokurorë e gjyqtarë të tjerë që zgjodhën të jepnin dorëheqjen duke mos u përballuar me vetingun. Kështu, sistemit iu krijuan 273 vakanca.
Ndërkohë, KPK dërgoi sërish në shkollën e Magjistraturës dy prokurorë për probleme me profesionalizmin dhe pushoi ose doli pa vendim përfundimtar për 57 prokurorë e gjyqtarë të cilët kishin paqartësi nëse e mbanin ende statusin e magjistratit.
Procesi i vetingut nuk solli vetëm shkarkime si pasojë për magjistratët, pasi në maj të 2020-ës, SPAK njoftoi se kishte marrë nën hetim 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses me bazë vendimet e tyre të shkarkimit nga KPK.
Për 5 prej tyre, Gjykata e Posaçme ka dhënë vendime dënimi, ka sekuestruar pasurinë, apo është duke i gjykuar për mosdeklarim të pasurisë.
KPK përfundon mandatin në dhjetor të këtij viti.