Përgjatë vitit të kaluar, Izraeli është përpjekur të eleminojë lidershipin e Hamasit duke goditur njëri pas tjetrin disa prej udhëheqësve të organizatës terroriste. Por, njeriu më i kërkuar nga Izraeli dhe ai që shihet si truri i sulmit të 7 tetorit 2023, Yahya Sinwar, vazhdon të jetë i lirë.
Sinwar ka qëndruar larg vëmendjes përgjatë gjithë luftës, ndërsa të vetmet pamje të tij vijnë në një video që mendohet se është filmuar vetëm pak ditë pas nisjes së konfliktit në Gaza një vit më parë.
Pamjet bardhë e zi, të publikuara nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) gjatë një sulmi më herët këtë vit, tregojnë siluetën e një personi, i cili mendohet se është Yahya Sinwar, teksa lëviz brenda një tuneli me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, duke mbajtur në dorë një çantë të madhe.
Kobi Michael, hetuesi i degës Shin Bet të shërbimit sekret izraelit, i cili e ka marrë në pyetje Sinwar vite më parë, deklaroi se “brenda asaj çante gjenden rreth 25 kg dinamit. Rreth tij ndodhen të paktën 20 pengje. E kemi patur disa herë mundësinë për ta eleminuar, por nëse do ta bënim këtë, atëherë ai do t’i vriste pengjet.”
Rreth 97 pengje nga ata të cilët u rrëmbyen nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 mendohet se janë ende në Gaza, por nuk dihet numri i saktë se sa prej tyre janë ende gjallë dhe sa të tjerë mund të jenë vrarë.
Ndërkaq, ushtria izraelite ka dekluar se gjatë luftës një vjeçare në Gaza, ka goditur rreth 40.000 shenjestra, ka zbuluar 4.700 tunele, si edhe ka shkatërruar 1.000 pozicione nga ku hidheshin raketa. (Daily Mail)