Një bombë e pashpërthyer amerikane nga Lufta e Dytë Botërore, e cila ishte ‘varrosur’ në një aeroport japonez, shpërtheu të mërkurën, duke shkaktuar një krater të madh në një rrugë lidhëse dhe anulimin e më shumë se 80 fluturimeve, thanë zyrtarët japonezë.

Askush nuk u lëndua dhe nuk kishte asnjë aeroplan aty pranë kur bomba shpërtheu në aeroportin Miyazaki në Japoni, thanë zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Tokës.

Një hetim nga Forcat e Vetëmbrojtjes dhe policia, konfirmoi se shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombë amerikane 225 kilogramëshe dhe nuk kishte asnjë rrezik të mëtejshëm. Zyrtarët po përcaktonin se çfarë e shkaktoi shpërthimin e papritur të saj.

 

Një video e regjistruar nga një shkollë aviacioni aty pranë, tregoi shpërthimin duke nxjerrë copa asfalti në ajër si një shatërvan. Videot e transmetuara në televizionin japonez treguan një krater në rrugë lidhëse, që thuhet se ishte rreth 7 metra në diametër dhe 1 metër të thellë.

Sekretari i kabinetit Yoshimasa Hayashi, tha se më shumë se 80 fluturime ishin anuluar në aeroport që nga mesdita e së mërkurës. Aeroporti tha se dëmtimi i rrugës lidhëse u riparua gjatë natës dhe fluturimet rifilluan të enjten në mëngjes.

Aeroporti Miyazaki u ndërtua në vitin 1943 si një ish-qendër trajnimi fluturimi të marinës perandorake japoneze, nga e cila disa pilotë u ngritën në misione sulmi vetëvrasës.

Një numër bombash të pashpërthyera të hedhura nga ushtria amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore janë zbuluar në zonë, thanë zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes. Qindra tonelata bomba të pashpërthyera nga lufta mbeten të ‘varrosura’ rreth Japonisë dhe ndonjëherë zbulohen në kantieret e ndërtimit.