Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të pushojë çështjen kundër Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishajt, të cilët deri më tani ishin implikuar për vrasjen e Vajdin Lames. Në seancën e sotme, kërkesa për pushimin e çështjes për dy të akuzuarit është bërë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK ka thënë edhe sot para Gjykatës se nuk ka prova të mjaftueshme për të implikuar Dervishajn dhe Berishën në vrasjen e ndodhur në vitit 2005.
Pas tre vitesh hetime, SPAK nuk ka mundur të provojë implikimin e dy figurave kryesore të krimit në vrasjen e dyfishtë me tritol të ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë. Duke nisur nga kjo, SPAK i ka kërkuar gjykatës pushimin e çështjes për dy anëtarët e bandës së Durrësit, të cilët kanë dhe lidhje familjare mes tyre.
Sipas dosjes hetimore dy personat u dyshuan si pjesëmarës në vrasjen e Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit, pas dëshmisë së dhënë nga bashkëpunëtori i SPAK, Luftar Reçi, i cili ka treguar se sasinë e tritolin të përdorur në vrasjen e Vajdin Lamaj, e ka montuar Joshko Çervenkovski në prezencë të Indrit Taullait, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishaj dhe Luftar Rreçit.
Vrasjen e Lames e zbardhi dëshmia e Luftar Reçit, rrëfim i cili solli më pas aksionin “Asgjë nuk harrohet”, ku u ekzekutuan urdhër-arrestet për Emiljano Shullazin, Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin. Ndërsa Lulzim Berisha dhe kunati i tij, Plarent Dervishaj në momentin e arrestimit ndodheshin jashtë vendit. Berisha është arrestuar pak muaj më parë në Spanjë, dhe është në pritje të ekstradimit, ndërsa Dervishaj u deportua pak javë më parë nga Dubai, së bashku me Meçen.
Tashmë për vrasjen e Lames dhe truprojës së tij, Artan Arsit akuzohen vetëm Emiliano Shullazi dhe Viktor Ymeri, të cilët janë marrë të pandehur dhe vijon procesi gjyqësor. Por Dervishajt dhe Berishës u qëndron akuza për vrasjen e Klodian Saliut, e ndodhur në vitin 2005 në afërsi të qytetit të Durrësit. Dy këta të fundit akuzohen dhe për atentatin e ndodhur në Durrës, në drejtim të prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku.